E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkeologu i shquar Adem Bunguri feston sot 72-vjetorin e lindjes

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Adem Bunguri, akademik dhe studiues i shquar i arkeologjisë prehistorike, feston sot 72-vjetorin e lindjes.

Me një kontribut të spikatur në studimet arkeologjike, ai vlerësohet për maturinë shkencore dhe për formulimin e përgjithësimeve të rëndësishme mbi qytetërimet prehistorike të Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë karrierës së tij shkencore ka qenë pjesëmarrës, drejtues dhe bashkëdrejtues në më shumë se 60 ekspedita arkeologjike në terren, kryesisht në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut (Dibër–Pollog), duke dhënë një kontribut të çmuar në kërkimet dhe zbulimet arkeologjike në rajon.

Ai ka bashkëdrejtuar projekte të rëndësishme shkencore në bashkëpunim me shkolla arkeologjike evropiane nga Gjermania, Italia, Polonia dhe Greqia, ndërsa veprimtaria e tij botuese përfshin mbi 70 artikuj shkencorë në revista të specializuara në Shqipëri dhe jashtë saj, si dhe 8 monografi shkencore si autor apo bashkautor. Punimet e tij janë prezantuar në një sërë kongresesh ndërkombëtare të arkeologjisë prehistorike në shumë vende të Evropës.

Ndër kontributet më të rëndësishme të Adem Bungurit spikasin formulimi i hipotezës mbi modelet e ndryshme të neolitizimit të territorit të Shqipërisë, studimet mbi rrugët dhe modulet e indoeuropianizimit të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe evidentimi i metalurgjisë prehistorike dhe përcaktimi i provincave të pavarura metalurgjike gjatë Eneolitit dhe Bronzit të Vonë në këto hapësira gjeo-kulturore. Interesat e tij shkencore janë përqendruar veçanërisht në studimin e kulturës së epokës së Bronzit dhe në proceset e formimit etno-gjenetik të popullsisë ilire në Ballkanin Perëndimor.

Një nga kontributet e tij më të rëndësishme është formulimi dhe argumentimi për herë të parë i hipotezës anatoliane për migracionet e Bronzit të Hershëm në Shqipëri dhe Kosovë, duke ofruar një qasje të re shkencore përballë hipotezës së migracionit “kurgan”, e cila kishte mbizotëruar për një kohë të gjatë në arkeologjinë prehistorike shqiptare.

Për veprimtarinë dhe kontributet e tij të shquara është nderuar me çmime dhe tituj të rëndësishëm, ndër të cilët çmimi i parë “Dea Dardanicae” (Kosovë, 2018), titulli “Mjeshtër i Madh” (2021) dhe “Qytetar Nderi i Peshkopisë” (2023).

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›