Arrestimi i avokatit Barjami, Dhoma e Avokatisë nis bojkot pesëditor të proceseve penale në të gjithë vendin

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka nisur sot një bojkot pesëditor të të gjitha proceseve penale në vend, përfshirë hetimet dhe gjykimet në të gjitha shkallët, si dhe proceset në Gjykatën Kushtetuese. Bojkoti do të zgjasë nga 20 deri më 25 tetor 2025.
Vendimi i komunikuar një ditë më parë, erdhi si revoltë ndaj arrestimit të avokatit Ulian Barjami, pas përplasjes që ky i fundit pati në sallën e gjyqit me prokurorin Gjergj Ceka, në lidhje me arrestimet në Elbasan.
Dhoma e Avokatëve e konsideroi arrestimin e avokatit si “tepër të rëndë” dhe alarmante për sigurinë juridike të avokatëve dhe ushtrimin e profesionit të tyre.
Vendimet kryesore të Komitetit përfshijnë:
Bojkot total i proceseve penale në hetim dhe gjykim për të gjitha shkallët e gjyqësorit, me përjashtim të çështjeve që lidhen me masat e sigurimit personal.
Shtyrje automatike e proceseve gjyqësore për shkak të mospjesëmarrjes së avokatëve në sallë, që konsiderohet arsye objektive ligjore.
Sanksione të rënda disiplinore për çdo avokat që nuk zbaton vendimin e bojkotit, përfshirë mundësinë e pezullimit apo heqjes së licencës.
Kërkesë zyrtare për hetim nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për rrethanat dhe ligjshmërinë e arrestimit të avokatit Barjami.
/rtsh.al/