E Hënë, 2 Nëntor 2026

Eksperti Kacani: Tirana po mbingarkohet nga ndërtimet, ka nevojë për vizion rajonal

Tirana ka përjetuar një transformim të madh urban gjatë dekadës së fundit, me ritme të shpejta ndërtimi që kanë ndryshuar fytyrën e qytetit.

Në një analizë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, eksperti i urbanizimit, Dr. Artan Kacani, ka vënë në dukje se ky zhvillim ka ndodhur shpesh pa një koordinim të plotë dhe pa një vizion të qartë rajonal.

Sipas Kacanit, dekada e fundit ka sjellë një hov të madh ndërtimi në Tiranë, veçanërisht pas vitit 2014, kur ligji urbanistik aktivizoi një sërë aktorësh dhe financimesh.

“Para këtij viti, shumica e lejeve të ndërtimit zhvilloheshin mbi ndërtuesin dhe parcelat e vogla. Pas vitit 2014, ligji aktivizoi një sërë aktorësh, financimesh dhe bëri palë vizionet e bashkisë nëpërmjet planeve të zhvillimit,” tha ai.

Ai theksoi se pas tërmetit të nëntorit 2019, Shqipëria u hap ndaj financimeve ndërkombëtare për ndërtimin jo vetëm të banesave, por edhe të objekteve komerciale dhe luksit, gjë që sipas tij ka sjellë një trazirë të madhe jo vetëm në aspektin ligjor të planifikimit urban, por edhe në atë social dhe ekonomik të Tiranës.

Kacani vuri në dukje se Plani Urbanistik i Tiranës, i miratuar në vitin 2019, është ndryshuar tre herë.

“Ekziston një vizion i qartë i hartuar në Bashkinë e Tiranës, i miratuar dhe është publik. Kjo gjë mund të verifikohet fare mirë, por ajo që po ndodh është se Tirana është duke u ndryshuar nga një vizion qendror, por i mungon një vizion rajonal në mënyrë që të adresojë siç duhet sistemin infrastrukturor me atë që ne e quajmë tangencialet ose unazat,” tha ai.

Sipas ekspertit, problemi nuk qëndron te cilësia e ndërtimit, por te sasia e tij.

Ai theksoi se qyteti po përballet me një mbingarkesë infrastrukturore, ku transporti dhe lëvizshmëria janë ndër sfidat kryesore.

“Për të lëvizur nga qendra e Tiranës drejt aeroportit duhet nganjëherë dy orë. Kjo është absurde, kur vetë fluturimet për në Itali, Greqi janë vetëm dy orë. Sasia e ndërtimit është duke e dërmuar Tiranën. Është duke u dërmuar në aspektin e transportit. Për të lëvizur nga qendra e Tiranës drejt aeroportit duhet nganjëherë dy orë. Kjo është absurde, kur vetë fluturimet për në Itali, Greqi janë vetëm dy orë,” u shpreh Kacani.

Eksperti sugjeron që Tirana të mos zhvillohet vetëm mbi bazën e një vizioni qendror, por të ketë një qasje rajonale që adreson nevojat reale të qytetit, veçanërisht në aspektin e infrastrukturës dhe transportit publik.

Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të tangjenteve dhe unazave funksionale që lehtësojnë lëvizjen dhe lidhin zonat urbane me periferinë.

Ai apeloi për një plan më të mirëfilltë që të koordinojë ndërtimet me hapësirat dhe nevojat reale të qytetit, duke theksuar se pushteti lokal po bëhet një aktor i padukshëm në këtë proces.

“Tirana nuk duhet të zhvillohet vetëm mbi një vizion qendror. Duhet një qasje rajonale që adreson realisht nevojat e qytetit, sidomos në aspektin e infrastrukturës dhe transportit publik. Tangjentet dhe unazat funksionale janë thelbësore për të lehtësuar lëvizjen dhe për të lidhur zonat urbane me periferinë. Ndaj kërkohet një plan më i mirëfilltë, i koordinuar me hapësirat dhe nevojat reale të qytetit. Fatkeqësisht, pushteti lokal po bëhet një aktor i padukshëm në këtë proces,” përfundoi eksperti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›