Arrestohet shoferi i urbanit, aksidentoi të renë me biçikletë, makina përplas për vdekje kalimtaren

Pa kaluar 12 orë nga aksidenti i mbrëmjes së të dieles, një tjetër ngjarje e rëndë përgjaku rrugët e Tiranës. Një këmbësore 49-vjeçare u përplas për vdekje nga një automjet në afërsi të zonës së njohur si ish-sheshi Shqiponja në kryeqytet.
Viktima nuk ka qenë në vijat e bardha dhe gjatë tentativës për të kaluar rrugën ajo është përplasur nga një makinë duke gjetur vdekjen në vend.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit.Ndërkohë policia ka arrestuar mbrëmjen e të dielës shoferin e urbanit të linjës Astir-Qendër, i cili u përfshi në një aksident në afërsi të Pallatit me Shigjeta.
Sipas policisë, urbani ka qënë në drejtim të 21-Dhjetorit. Në këte moment 18-vjeçarja me biçikletë ka tentuar të kalojë rrugën me semafor të kuq. Urbani ka qenë me shpejtësi mbi normat e lejuara, ku fatkeqësisht ka goditur të renë.
Drejtuesi i mjetit ka tentuar të shmangë goditjen dhe për pasojë ka kaluar trafikndarësen duke përfunduar në anën tjetër të korsisë ku ka përplasur disa mjete të parkuara.
Shoferi i urbanit ka rezultuar negativ në testin e alkoolit. E reja ndodhet në spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë mjekim kanë marrë edhe disa udhëtarë të urbanit të cilët mbetën të lënduar nga përplasja.