“Artizani i Ri”, nisma që ruan traditën dhe nxit krijimtarinë tek të rinjtë

Në Korçë janë duke u zhvilluar trajnimet si pjesë e programit “Artizani i Ri”, një nismë e Thurje Handmade që synon të ruajë dhe të zhvillojë traditat artizanale përmes përfshirjes së brezit të ri.
Në këtë edicion janë përzgjedhur 10 vajza dhe gra, të cilat po trajnohen falas në punimin tradicional me tezgjah, një mjeshtëri e trashëguar ndër breza që mbetet pjesë e identitetit kulturor të Korçës.
Një nga pjesëmarrëset, Xheni Gjyrasi, e sheh këtë si një mundësi reale për punësim apo vetëpunësim në të ardhmen.
“Po mësoj dhe më duket diçka shumë e bukur dhe tërheqëse”, u shpreh kursantja.
Organizatorët theksojnë rëndësinë e transmetimit të kësaj mjeshtërie tek brezat e rinj, duke e konsideruar si një mision kulturor për ta mbajtur të gjallë trashëgiminë artizanale të qytetit.
“Siç ma kanë treguar mua gjyshja, nëna, motra, po jua mësoj dhe unë vajzave”, tha Rovena Hysenaj, artizane.
“Kjo dëshirë për të bërë trajnimet ka ardhur edhe si pasojë e vënies re se mungojnë artizanet sidomos në moshë të re, kjo traditë është duke u harruar dhe nuk po trashëgohet”, tha trajnerja Mikaela Maçka.
Programi “Artizani i Ri” mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Korçë, si një model për ruajtjen e trashëgimisë dhe nxitjen e vetëpunësimit.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/