Rikonstruksioni i banesave në Tepelenë, në proces 21 banesa të familjeve në nevojë

Në Bashkinë e Tepelenës po vijon mbështetja për rikonstruksionin e banesave për 21 familje në nevojë me një fond prej 18 milionë lek, në kuadër të programeve sociale që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës.
Specialisti i emergjencave civile dhe strehimit, Pëllumb Hoxha, bën të ditur se ndërhyrjet janë fokusuar kryesisht në banesa që kanë pësuar dëmtime nga lagështia, mungesa e izolimit termik apo probleme strukturore.
Prioritet në këtë proces kanë familjet me të ardhura të ulëta, ato me persona me aftësi të kufizuara dhe rastet që trajtohen nga shërbimet sociale të bashkisë.
“Ka filluar puna për rikonstruksionin e banesave në Bashkinë e Tepelenës dhe është parashikuar që të punohen 450 m2 riparime çatish. Po punohet në disa lagje të Tepelenës”, u shpreh Pëllumb Hoxha, specialist i Emergjencave dhe Strehimit.
Çdo rast verifikohet në terren nga grupet e emergjencave dhe strehimit, ndërsa financimet mbulohen përmes fondeve bashkiake dhe programeve të bashkëpunimit me institucionet qendrore.
“Janë kontaktuar personat që do ti nënshtrohen rikonstruksionit të banesave dhe është një fond prej 18 milion lekësh që do të vazhdojë deri në fazën përfundimtare”, tha ai.
Përmes këtyre ndërhyrjeve, Bashkia Tepelenë synon të garantojë një strehim më të sigurt dhe dinjitoz për familjet më në nevojë.
/rtsh.al/