Autorizohet Korporata e Investimeve për rijetësimin e stadiumit “Niko Dovana”

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për transferimin e pronave shtetërore te Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH), për realizimin e projektit të investimit “Rijetësimi i stadiumit “Niko Dovana””, në Durrës.
Vendimi autorizon KISH-in të veprojë si zhvillues i pronës publike, vetë ose nëpërmjet entiteteve të krijuara prej saj, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, në funksion të përmbushjes së interesit publik dhe zhvillimit të zonës përreth stadiumit.
Gjithashtu, Korporata është e autorizuar të hapë procedurën konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat dhe të negociojë kontratat përkatëse për realizimin e projektit, si dhe të ndërmarrë veprime me institucionet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, përfshirë edhe prishjen e objekteve ekzistuese në pronat e përfshira në projekt.
Në zbatim të këtij vendimi, brenda 30 ditëve do të lidhen marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet KISH-it dhe institucioneve përkatëse, për përcaktimin e standardeve dhe kushteve të realizimit të projektit.
Po ashtu, me këtë vendim, shfuqizohet vendimi i mëparshëm i Këshillit të Ministrave, nr. 485, datë 1.8.2023, i cili ngarkonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për zhvillimin e zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana”.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Rama: Projekti fitues i stadiumit të Durrësit, vizion për sportin dhe komunitetin
/a.f/r.e/