Krijohet Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Si një agjenci në varësi të Kryeministrit ajo financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër i ligjshëm, sipas legjislacionit në fuqi.
Misioni i Agjencisë është mirëqeverisja e burimeve ujore, me qëllim përmbushjen e të gjitha nevojave jetësore, duke mbajtur në vëmendje qëndrueshmërinë e ekosistemeve, duke nxitur konkurrencën në përdorimin e burimeve ujore dhe prioritizimin drejt përfitueshmërisë ekonomike.
Agjencia organizohet në nivel qendror dhe në nivel baseni lumor nëpërmjet zyrave të administrimit të baseneve lumore, degë të saj, në përputhje me basenet lumore të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në lidhje me politikat, strategjitë, planet, programet dhe projektet për zhvillimin e sektorit të ujit, agjencia përcakton vizionin drejt të cilit duhet të orientohet qeverisja e integruar e burimeve ujore.
Po ashtu ajo analizon situatën e burimeve ujore, identifikon nevojat, me qëllim përcaktimin e prioriteteve, dhe vlerëson propozimet, duke kryer fizibilitetin e tyre.
Agjencia siguron një kuadër të plotë, efektiv dhe të harmonizuar strategjik për mbrojtjen e mjedisit detar, duke koordinuar punën me institucionet vendase dhe strukturat përgjegjëse të shteteve të tjera, me të cilat Shqipëria ndan sovranitetin mbi rajonin detar të Mesdheut.
Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore drejton po ashtu procesin për optimizimin e shfrytëzimit të burimeve ujore drejt përfitueshmërisë ekonomike, në përputhje me parimet, prioritetet në përdorim dhe nevojat e vendit, si dhe me kriteret për ruajtjen dhe mbrojtjen sasiore e cilësore të burimeve ujore.
Agjencia harton e ndjek zbatimin e të gjitha planeve të menaxhimit të kërkuara nga ligji, në bashkëpunim me zyrat e administrimit të baseneve lumore, strukturat shtetërore përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe në bashkëpunim me aktorët e tjerë.
Po ashtu, Agjencia identifikon burimet ujore të ndikuara apo që mund të ndikohen nga ndotja e shkaktuar nga nitratet me origjinë bujqësore, si dhe propozon elementet e cilësisë për klasifikimin e statusit ekologjik të lumenjve, liqeneve, ujërave tranzitore, ujërave bregdetare dhe trupave ujorë sipërfaqësorë artificialë dhe tepër të modifikuar.
Një tjetër fokus i punës së kësaj agjencie është edhe koordinimi i veprimtarisë së hartimit të planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytjet me autoritetet e tjera, me fokus përmirësimin e efikasitetit, shkëmbimin e informacionit, përgatitjen e hartave, analizimin e skenarëve dhe sigurimin e sinergjive dhe përfitimeve të përbashkëta, duke synuar arritjen e objektivave mjedisorë
Agjencia kryen po ashtu vlerësimin e statusit të ujërave detarë dhe harton programin e monitorimit, duke përdorur metodologji, të cilat janë në harmoni me ato shteteve të tjera, me të cilat Shqipëria ndan sovranitetin mbi këto ujëra, për të mundësuar koherencën e krahasueshmërinë e rezultateve.
/m.m/r.e/a.f/