E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Veselit: Provat e Prokurorisë me thashetheme, grumbull mbeturinash

PRISHTINË, 18 shkurt /ATSh/ Në Gjykatën Speciale të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë, po mbahet sot seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së vendimit në ngarkim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Katërshja udhëheqëse e UÇK-së po jep konkluzionet përfundimtare.

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon tha se gjykata nuk mund ta shpallë fajtor një person duke u mbështetur në prova të patestuara dhe mbi thashetheme.

“Gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, qoftë kjo për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë apo pjesë e një plani të përbashkët penal apo përgjegjësi eprore, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara dhe mbi thashetheme”, tha ai.

Avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, tha se argumentet e Prokurorisë ndaj klientit të tij, janë thjesht një grumbull mbeturinash që nuk vërtetojnë përfshirjen e Veselit në veprimtari kriminale.

“Zyra e Prokurorisë Speciale nuk e pranon që është gabim. Ne i kemi trajtuar gjerë e gjatë makinacionet e grumbullit të thashethemeve që ka Zyra e Prokurorisë Speciale lidhur me pretendimet e drejtpërdrejta dhe themelësinë e argumenteve të tyre, që sipas nesh, nuk ekziston fare. Janë 15 faqe vetëm për një pretendim, ku kemi thënë se si provat e bazuara vetëm në thashetheme janë thjesht një grumbull mbeturinash që nuk vërtetojnë aspak që zotëri Veseli të ketë qenë i përfshirë në ndonjë veprimtari e lëre më të ishte i pranishëm fizikisht, kur diçka ka ndodhur”, tha Dixon.

Avokati i Veselit tha se prokurorët para trupit gjykues thanë vetëm fjalë boshe.

“Thanë fjalë boshe, asgjë deri në fund të fjalës së ZPS-së, sepse nuk kanë asnjë përgjigje për akuzat që kemi ne kundër akuzave të Veselit. Por sidoqoftë ata pretendojnë se ne nuk kemi trajtuar themelësinë e akuzave të Zyra e Prokurorisë Speciale. Është akuzë e rëndë kjo nga ZPS-ja, sepse ajo që bëra unë javën e kaluar është pikërisht të trajtoja çdo pretendim të tyre një për një për t’u treguar se ishin të pabaza dhe unë kisha edhe 500 dispozitivë të tjerë që do të mund t’ua kisha paraqitur”, tha ai.

Mbrojtësi i Veselit tha se argumentet e Prokurorisë kundër Veselit janë të pabazuara.
“Të gjitha argumentet kundër Veselit janë të pabazuara qoftë pretendimet e drejtpërdrejta, si dhe pretendimet rrethanore”, tha ai.

Para trupit gjykues në kundërpërgjigjet e tij avokati, Rodney Dixon, tha se nuk ka prova që Kadri Veseli ka kontribuar në “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”.

/KosovaPress//r.e/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›