Avokatja e Popullit reagon pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja: Sulm ndaj drejtësisë, vetëgjyqësia nuk është zgjidhje

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka reaguar ashpër pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë teksa gjyqtari po ushtronte detyrën e tij.
Në një lidhje direkte për RTSH 24, Ballanca e quajti ngjarjen një krim të rëndë dhe tronditës, që cenon jo vetëm jetën e një funksionari të drejtësisë, por edhe vetë themelet e sistemit gjyqësor.
“Tronditja ka qenë shumë e thellë. Është një lajm shumë i keq sepse brenda një salle gjykate është qëlluar një gjyqtar ndërsa po jepte drejtësi. Personi që ka kryer këtë veprim ka tronditur gjithë shoqërinë tonë. Ka cenuar realisht të drejtën e jetës së punonjësve të sistemit të drejtësisë, të cilët vriten pikërisht për shkak të detyrës”, deklaroi Ballanca.
Avokatja e Popullit theksoi se asgjë nuk e justifikon këtë akt të vetëgjyqësisë dhe se dhuna ndaj përfaqësuesve të drejtësisë është një alarm serioz për të gjithë shoqërinë.
“Kjo është një çështje shumë e madhe, një problem i thellë kulturor dhe duhet të jetë kambanë alarmi për jetën e gjithkujt. Ideja e vetëgjyqësisë duhet të largohet nga diskutimi dhe mendjet e gjithsecilit prej nesh”, shtoi ajo.
Ballanca bëri të ditur se pa pasur njohuri për rastin konkret, pasi qytetari që kreu vrasjen kishte paraqitur më herët një ankesë pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, për një çështje të gjatë me drejtësinë, e cila sipas saj kishte marrë rrugë institucionale.
“Unë rastin konkret, e njoh. Ky qytetar ka pasur një problematikë ndër shumë vite. Është paraqitur dhe pranë institucionit të avokatit të popullit për një ankesë që ai ka pasur në lidhje me sistemin e drejtësisë, ankesë së cilës i është dhënë rrugëzgjidhje. Ne duhet të pranojmë e kuptojmë se institucionet e drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre pavarësisht se cila është dëshira jonë”, bëri me dije Ballanca.
Lidhur me debatet për ashpërsimin e masave penale, Ballanca u shpreh se kjo nuk është zgjidhje.
“Armëmbajtja pa leje dënohet me minimumi 7 vite burg. Ashpërsimi i politikës penale nuk ka sjellë ulje të numrit të armëve në qarkullim. Ne kemi nevojë për më shumë edukim, ndërgjegjësim dhe për të rikthyer respektin për figurën e gjyqtarit, e cila është denigruar rëndë në 15 vitet e fundit“, tha ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, Ballanca vuri theksin te nevoja për mbrojtje më të mirë institucionale për punonjësit e drejtësisë dhe një ndryshim rrënjësor në perceptimin publik ndaj tyre.
/rtsh.al/