BBC: Katër vjet nga pushtimi i Ukrainës, Rusia po ndjen pasojat

LONDËR, 23 shkurt /ATSH/- Në shikim të parë, Jeleci në dimër të jep përshtypjen e një pamjeje të marrë nga përrallat ruse, sipas BBC.
Nga shëtitorja buzë lumit shihen kupolat e arta të kishave ortodokse, ndërsa më poshtë peshkatarët mbi akull janë shpërndarë përgjatë lumit të ngrirë.
Por në këtë qytet, 350 kilometra në jug të Moskës, ndjesia e përrallës është kalimtare.
Në bregun e lumit bie në sy një tabelë rekrutimi për ushtrinë. Ai premton një shumë të vetme prej rreth 15 mijë paundësh për këdo që regjistrohet për të luftuar në Ukrainë.
Pak më tutje, një poster paraqet një ushtar rus duke marrë shënjestër me një kallashnikov.
“Jemi aty ku duhet të jemi”, thuhet në slogan.
Kremlini nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Jashtë Rusisë, kjo u pa gjerësisht si një përpjekje për ta rikthyer Kievin në orbitën e Moskës dhe për të përmbysur arkitekturën e sigurisë eVropiane të pas Luftës së Ftohtë.
Udhëheqja ruse parashikonte një operacion të shkurtër dhe të suksesshëm ushtarak.
Nuk ndodhi kështu. Katër vjet më vonë, lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon ende.
Ajo ka zgjatur më shumë se lufta brutale e Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik, e njohur këtu si Lufta e Madhe Patriotike.
Dhe në këtë qytet shihen pasojat. Një mural gjigant mbulon një anë të një pallati nëntëkatësh në Jelec.
Aty janë portretizuar pesë ushtarë rusë – burra vendas të vrarë në Ukrainë.
“Lavdi heronjve të Rusisë!”, është shkruar në krye.
Autoritetet ruse nuk publikojnë shifra për viktimat e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak”.
Por, dihet se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushëbetejë.
Në shumë qytete dhe fshatra të vizituara gjatë dy viteve të fundit janë ngritur muze dhe monumente për ushtarët e vrarë në Ukrainë, si dhe seksione të veçanta në varrezat lokale për të rënët e kësaj lufte.
“Burri i shoqes sime u vra atje. Edhe djali i kushërirës sime. Edhe nipi”, tha Irina, e cila ndaloi për të biseduar pranë muralit.
“Shumë njerëz janë vrarë. Më vjen keq për këta djem”, shtoi ajo.
Irina punon si kontrollore biletash në stacionin e autobusëve dhe e ka të vështirë të përballojë jetesën.
“Faturat e shërbimeve po na mbytin. Çmimet po na shtypin. Është shumë e vështirë të mbijetosh”, tha ajo.
Edhe pse të ardhurat e saj janë të pakta, ajo ndihmon në përgatitjen e pakove me ndihma për ushtarët rusë në vijën e frontit.
“Në Luftën e Madhe Patriotike e dinim për çfarë po luftonim. Tani nuk jam e sigurt për çfarë po luftojmë”, tha ajo.
Kufiri me Ukrainën ndodhet 250 kilometra larg. Por, ndonjëherë fronti duket shumë më afër.
Rajoni i Lipetskut, ku bën pjesë Jeleci, si shumë zona të tjera të Rusisë, është shënjestruar nga dronët ukrainas.
Rreth qytetit janë instaluar strehimore emergjente – njëra në një ndalesë autobusi, tjetra në një park.
Këto struktura betoni qëndrojnë si monumente të “operacionit special ushtarak” të presidentit Vladimir Putin.
Para pushtimit të plotë të Ukrainës, nuk kishte nevojë për strehimore, pasi nuk kishte sulme me dronë në territorin rus.
Edhe pallatet e banimit në Jelec kanë strehimore në bodrume.
“Sirenat bien pothuajse çdo natë. Por unë nuk dal nga ndërtesa. Thjesht futem në korridor, aty ku nuk ka dritare”, tha Irina.
Shenjat e luftës shfaqen edhe në vende të papritura. Emri i një kafeneje petullash përmban shkronjat latine V dhe Z – simbole të “operacionit special”.
“Merre një petull, pastaj gjithë botën”, thuhet në tabelë.
Kjo frazë të lë pa fjalë. Më kujtohen deklaratat e Vladimir Putinit: “Aty ku shkel këmba e një ushtari rus, ajo tokë është e jona”, deklaroi ai në Shën Peterburg vitin e kaluar.
Dy vjet më parë, në Moskë, një tabelë elektronike shfaqte citatin: “Kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë askund.”
Luftërat janë të kushtueshme. Me deficitin buxhetor në rritje dhe ekonominë në stanjacion, qeveria ka rritur TVSH-në nga 20% në 22%.
Ministria e Financave thotë se të ardhurat shtesë do të shkojnë për “mbrojtjen dhe sigurinë”.
Televizioni shtetëror rus u ka bërë thirrje qytetarëve të tregohen mirëkuptues.
“Jetojmë në kohë lufte – një luftë e imponuar nga Perëndimi”, u tha shikuesve prezantuesi Dmitry Kiselev. “Duhet ta fitojmë dhe nuk mund t’ia dalim pa një buxhet lufte”, shtoi ai.
Bizneset e vogla po ndiejnë goditjen. Në një furrë buke në Jelec, aroma e bukës me rrush të thatë dhe ëmbëlsirave me krem është joshëse.
Por dyqani është prekur nga rënia ekonomike dhe rritja e taksave.
“Na është dashur të rrisim çmimet”, tha pronarja Anastasiya Bykova, duke shtuar se faturat e energjisë, qiraja dhe taksat ishin rritur.
Rritja e TVSH-së i ka bërë më të shtrenjta edhe përbërësit.
“Imagjinoni sikur të mbyllemi të gjithë – furra jonë dhe restoranti përballë. Ne përpiqemi ta bëjmë qytetin të duket mirë. Por nëse mbyllemi, çfarë mbetet? Vetëm një hapësirë e errët gri”, shtoi ajo.
Një orë larg, në kryeqendrën rajonale Lipetsk, shihen më shumë kujtime të luftës: më shumë postera ushtarakë, më shumë strehimore.
Por, në hyrjen e pallatit të tij, Ivan Pavlovich është i shqetësuar për një tub që pikon.
Muri është mbuluar me akull dhe ashensori nuk funksionon. Pensionisti është i zemëruar që askush nuk e ka riparuar. Ai ankohet për çmimet e larta dhe faturat në rritje. A mendon se fajin e ka lufta?
“Sikur të isha më i ri, do të shkoja të luftoja”, tha ai.
“Operacioni special ushtarak është i shkëlqyer. Thjesht çmimet vazhdojnë të rriten. Pensionet rriten, por çmimet rriten edhe më shumë. Çfarë fitoj unë? Asgjë”, shtoi ai.
“Sigurisht që do të jetonim më rehat po të mos kishte operacion special. Shpenzohen shumë para për të. Edhe njerëzit japin sa munden. Duhet të ndihmojmë. Nuk po ankohem”, tha ai.
Rusët ndiejnë se jeta po bëhet më e vështirë. Pak njerëz besojnë se kanë fuqi për ta ndryshuar këtë realitet.
Ndërsa lufta hyn në vitin e pestë, optimizmi është zbehur.. Shumë prej tyre thjesht janë mbyllur në vetvete, duke pritur dhe shpresuar për kohë më të mira. //a.i/