E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protesta e 28 shkurtit kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se, protesta që do të zhvillohet më 28 shkurt do të jetë  “dita e kryengritjes paqësore”.

Gjatë një konference për mediet, Berisha theksoi se protesta do të hyjë në një fazë të re organizimi duke diversifikuar aksionin, ndërsa nuk zbuloi më tepër detaje.

“E shtuna është dita e kryengritjes paqësore. Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën e tyre, urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve. Dhe, do të jetë një revoltë, një kryengritje do të thosha më e fuqishmja që ka njohur vendi. Nuk do jetë e llojit të atyre që keni parë. Tani, kryengritja kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj”, tha Berisha.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Berisha dënoi ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve të rinj.

“Dënoj me forcën më të madhe keqtrajtimin policor që u bë ndaj të rinjve, të cilët ishin energjia, guximi dhe fytyra e vërtetë e protestës”, deklaroi Berisha.

Gjithashtu, ai reagoi për incidentet pranë selisë së Partisë Demokratike.

“Dënoj me forcën më të madhe sulmin ndaj selisë së PD dhe e paralajmëroj Edi Ramën të ndërpresë çdo sulm ndaj selisë sepse përgjigja mund të jetë ajo që nuk ia pret mendja atij. Sulmi në mënyrën më absurde u përqendrua tek selia. Aty u pozicionuan një grup banditësh me uniformë që qëllonin me të gjitha mjetet në drejtim të selisë dhe një grupi protestuesish që ishin në rrugë para selisë”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›