E Diel, 1 Nëntor 2026

BBC: Liderët botërorë reagojnë pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit

LONDËR, 28 shkurt /ATSH/- Liderët botërorë kanë reaguar ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit – dhe hakmarrjes së Teheranit, sipas BBC.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen kujtoi se blloku evropian kishte miratuar “sanksione të gjera” si përgjigje ndaj “regjimit vrasës” të Iranit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar”, tha Von der Leyen.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi situatën në Lindjen e Mesme si “të rrezikshme” dhe tha se BE-ja po punonte me partnerët arabë për një zgjidhje diplomatike.

Ajo shtoi se kishte biseduar me ministrin e jashtëm të Izraelit, Gideon Saar, dhe se rrjeti konsullor evropian po ndihmonte për largimin e qytetarëve të BE-së.

“Stafi jo-jetik i BE-së po tërhiqet nga rajoni”, tha Kallas.

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, përmes zyrës së saj, shprehu solidaritet me popullsinë civile të Iranit, duke thënë se vazhdon të kërkojë respekt për të drejtat civile dhe politike.

Gjithashtu, Meloni do të konsultohet me aleatët dhe liderët rajonalë për të mbështetur përpjekjet për të ulur tensionet.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese tha se vendi i tij qëndronte pranë popullit të guximshëm të Iranit në betejën kundër shtypjes dhe se mbështeste SHBA-në në përpjekjet për të parandaluar që Irani të ndërtonte armë bërthamore.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë i përshkroi veprimet e SHBA-së dhe Izraelit si “të pakujdesshme”, duke thënë se ato shkelnin ligjin ndërkombëtar.

Rusia bëri thirrje për rikthim tek zgjidhjet politike dhe diplomatike.

Një zëdhënës i qeverisë së Britanisë së Madhe tha se Londra ishte kundër një përshkallëzimi të mëtejshëm drejt një konflikti më të gjerë rajonal.

“Ne jemi gati të mbrojmë interesat tona”, tha ai.

Dmitry Medvedev, zv/kryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe ish-president rus, deklaroi se negociatat me Iranin janë vetëm një mbulesë: “Asnjë nuk dyshonte. Asnjë nuk donte vërtet të negocionte. Pyetja është se kush ka më shumë durim për të pritur fundin e turpshëm të armikut të tyre. SHBA-ja është vetëm 249 vjeçe. Perandoria Persiane u themelua mbi 2,500 vjet më parë. Le të shohim në 100 vjet…”

Ministri i jashtëm norvegjez Espen Barth Eide kritikoi sulmin, duke thënë se megjithëse Izraeli e përshkruan atë si një “sulm parandalues”, ai nuk përputhet me ligjin ndërkombëtar, pasi sulmet parandaluese kërkojnë një kërcënim të menjëhershëm.

Ministria e Jashtme e Ukrainës fajësoi regjimin iranian për dhunën dhe pandëshkueshmërinë, veçanërisht për vrasjet dhe shtypjen e protestuesve paqësorë, të cilat janë përhapur gjerësisht muajt e fundit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›