E Martë, 3 Nëntor 2026

BE paralajmëron Izraelin, kërkon t’i japë fund operacionit në Rafah

Bashkimi Evropian i kërkoi këtë të mërkurë Izraelit që t’i japë fund menjëherë operacionit të tij ushtarak në Rafah, duke paralajmëruar se do të dëmtoheshin lidhjet dypalëshe. “Nëse Izraeli vazhdon operacionin e tij ushtarak në Rafah, në mënyrë të pashmangshme do të dëmtoheshin rëndë marrëdhëniet e BE-së me Izraelin”- thuhet në deklaratën e lëshuar nga BE në emër të shefit të politikës së jashtme Zhosep Borrell, ku ndër të tjera thuhet se Izraeli po pengon shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gaza, ndërsa zhvendosja e civilëve po i ekspozon ata ndaj urisë dhe vuajtjeve më të mëdha.

BE thotë se më shumë se një milion civilë në Rafah u urdhëruan nga Izraeli të largoheshin në zona të tjera, për të cilat OKB thotë se nuk mund të konsiderohen të sigurta. “Ndërsa Bashkimi Evropian njeh të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur, ky vend duhet të respektojë Ligjin Ndërkombëtar Humanitar dhe të garantojë siguri për civilët”, vijon deklarata. Unioni dënoi gjithashtu edhe sulmin e Hamasit në pikën kufitare Kerem Shalom, i cili bllokoi kalimin e ngarkesave me ndihma humanitare.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shtojnë përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi”, thuhet në deklaratë..  Aleatët kryesorë, SHBA, BE dhe OKB kanë paralajmëruar Izraelin kundër një operacioni të madh në Rafah, pasi mund të rrisë numrin e viktimave mes civilëve, ku sipas ministrisë së Shëndetësisë deri tani janë vrarë mbi 35 mijë palestinezë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›