E Diel, 1 Nëntor 2026

BERLIN – Gjermania kundërshton planin e Trump për të marrë kontrollin e Groenlandës

BERLIN, 5 janar /ATSH-DPA/- Qeveria gjermane kundërshtoi sot deklaratat e fundit të presidentit të SHBA-së Donald Trump, të cilat sugjeronin se ai do të vazhdonte të ndiqte qëllimin për të marrë kontrollin e Groenlandës.

“Groenlanda është një territor i administruar në mënyrë autonome që i përket Danimarkës”, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë Sebastian Hille, në Berlin.

“Kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë dhe territoret nuk duhet të aneksohen me forcë”, theksoi ai.

Trump ka këmbëngulur vazhdimisht që SHBA-ja duhet të marrë kontrollin e Groenlandës, një territor kryesisht autonom danez i vendosur midis oqeaneve Arktik dhe Atlantik, për hir të sigurisë kombëtare, një pretendim që ai e përsëriti në fundjavë.

Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, ai pretendoi se Groenlanda ishte mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo.

Danimarka i ka hedhur poshtë pretendimet e Trump, së bashku me fqinjët nordikë Suedinë, Finlandën dhe Norvegjinë, pasi ndërhyrja e fundit e SHBA-së në Venezuelë ka ngjallur shqetësime në lidhje me lëvizjet e ardhshme të administratës Trump.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Hille theksoi se Gjermania i përmbahej parimeve të së drejtës ndërkombëtare, siç përcaktohen në Kartën e OKB-së.

Ai tha se Berlini ishte në konsultim të ngushtë me Danimarkën dhe partnerët e tjerë evropianë për të gjitha çështjet që lidhen me Groenlandën.

“Ne jemi të qartë në komunikimin tonë me SHBA-në në këtë drejtim”, shtoi ai.

Neni 2 i Kartës së OKB-së thotë se të gjithë anëtarët duhet të përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti, ose të çdo mënyre tjetër që nuk përputhet me Qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

Më herët, ministri i Jashtëm gjerman, gjatë një vizite në Lituani, shprehu gjithashtu mbështetjen e tij të plotë për Danimarkën.

“Groenlanda, ashtu si Ishujt Faroe, është pjesë e mbretërisë daneze”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul në një konferencë shtypi me homologun e tij lituanez Kęstutis Budrys në Vilnius.

“Dhe meqenëse Danimarka është anëtare e NATO-s, Groenlanda në parim do të duhet të mbrohet edhe nga NATO”, shtoi Wadephul.

“Nëse ka kërkesa të mëtejshme për të forcuar përpjekjet mbrojtëse në lidhje me Groenlandën, atëherë do të duhet ta diskutojmë këtë së bashku brenda kornizës së aleancës”, tha Wadephul.

“Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Groenlandën duhet të diskutohen vetëm brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare dhe në frymën e aleatëve – shumë qartë, shumë dallueshëm dhe pa asnjë motiv të fshehtë”, tha ministri i Jashtëm lituanez, Budrys.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›