BERLIN – Rreth 30 000 familje pa energji elektrike pas sulmit në rrjet

BERLIN, 5 janar /ATSH-DPA/- Rreth 30 000 familje në Berlin mbetën pa energji elektrike dhe ngrohje për të tretën ditë me radhë, pasi sulm në rrjetin elektrik neë fundjavë, ndërpreu furnizimin me energji elektrike në jugperëndim të kryeqytetit gjerman, të mbuluar nga bora.
Rreth 45 000 familje dhe mbi 2 200 biznese mbetën pa energji elektrike të shtunën, pasi kabllot që të çojnë në central u përfshinë nga flakët. Autoritetet në Berlin pretendojnë se sulmi mund të jetë kryer nga një grup militantësh të krahut të majtë.
Rreth 15 000 familjeve dhe rreth 500 bizneseve u është rikthyer energjia elektrike, por operatori “Stromnetz Berlin” tha se mund të duhet deri të enjten që të rikthehet energjia në rrjet, pasi punimet e riparimit janë komplekse.
Kryetari i bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, tha se incidenti tregoi se infrastruktura mbetej e ndjeshme ndaj sulmeve.
“Ndërsa vetëm një pjesë e vogël e rrjetit elektrik funksionon mbi tokë, masat mbrojtëse duhet të shtohen”, tha Wegner, duke kërkuar më shumë kamera mbikëqyrjeje dhe personel sigurie për të monitoruar rrjetin.
Me temperaturat nën 0 gradë Celsius, disa shkolla dhe kopshte në zonë mbetën të mbyllura – në atë që është dita e parë e shkollës pas festave të Krishtlindjeve.
Në një letër të postuar dje në internet, ekstremisti i krahut të majtë Vulkangruppe (Grupi i Vullkanit) tha se kishte sabotuar me sukses një central gazi në Lichterfelde.
Grupi tha se qëllimi i tij kryesor ishte të shënjestronte industrinë e karburanteve fosile, duke vënë në dukje se veprimi kishte rezultuar me ndërprerje të energjisë elektrike në lagjet më të pasura të Wannsee, Zehlendorf dhe Nikolassee. //a.i/