E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Gjermania shpreson për uljen e tarifave amerikane prej 50% ndaj çelikut dhe aluminit

BERLIN, 28 korrik /ATSH-DPA/- Qeveria gjermane shpreson për një lehtësim të tarifave prej 50% ndaj çelikut dhe aluminit – pas kompromisit në mosmarrëveshjen doganore midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ende ka nevojë për negociata të mëtejshme në këtë fushë”, tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Sebastian Hille në Berlin.

“Kjo është një nga fushat të cilave do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë”, shtoi ai.

“Qeveria gjermane e mirëpriti marrëveshjen në parim – të arritur dje mes SHBA-së dhe BE-së”, tha Hille.

“Kjo marrëveshje shmangu një përshkallëzim të panevojshëm të tarifave dhe një konflikt tregtar. Nga një përshkallëzim i tillë nuk do të përfitonte as ekonomitë dhe as publiku”, tha ai.

“Është e padiskutueshme që një lehtësim i mëtejshëm do të kishte qenë i dëshirueshëm. Por ajo që është e dëshirueshme dhe ajo që është e arritshme janë dy gjëra të ndryshme. Politika vepron brenda sferës së asaj që është e arritshme”, theksoi Hille.

“Hapi tjetër është të përpunohen detajet e marrëveshjes bazë”, tha zëdhënësi.

“Komisioni i BE-së ka mbështetjen e plotë të qeverisë gjermane në këtë proces”, theksoi ai.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë rënë dakord për një tarifë prej 15% për shumicën e importeve nga blloku.

Kjo do të zbatohet edhe për automjetet, gjysmëpërçuesit dhe produktet farmaceutike.

Sipas raporteve, BE ka rënë dakord për të lejuar importet e automjeteve amerikane në bllok pa taksa, megjithëse eksportet e BE-së në SHBA do të përballen me një tarifë prej 15%. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›