BERLIN – Merz rikonfirmon mbështetjen për Ukrainën

BERLIN, 6 janar /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz e ka vënë në plan të parë rritjen ekonomike në vend, duke e renditur atë në krye të axhendës së tij për vitin 2026, dhe duke paralajmëruar se masat e marra deri më tani nuk kanë arritur ta përmirësojnë mjaftueshëm konkurrueshmërinë e Gjermanisë.
Në një letër dërguar anëtarëve të koalicionit të tij qeverisës, në fillim të vitit, Merz tha se situata ekonomike mbetej shumë kritike në disa fusha.
“Në vitin 2026, Gjermania do të duhet të përqendrohet në ndërmarrjen e veprimeve vendimtare politike dhe legjislative për të përmirësuar ndjeshëm kushtet për bizneset”, shkroi Merz, duke shtuar se vetëm atëherë ekonomia mund të rritej dhe të dilte nga kriza.
Gjithashtu, në letër Merz rikonfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Ukrainën, duke thënë se vendimi për të përdorur asetet ruse të ngrira në Bashkimin Evropian kishte krijuar bazën financiare për të mbështetur mbrojtjen e Kievit kundër Rusisë në planin afatgjatë.
“Rusia nuk duhet të ketë dyshime për vendosmërinë tonë”, shkroi kancelari.
Në të njëjtën kohë, Merz theksoi se qeveria gjermane do të vazhdonte përpjekjet për një armëpushim që ruante sovranitetin e Ukrainës.
“Puna jonë diplomatike po kryhet në kushte të vështira”, tha ai, duke vënë në dukje gatishmërinë e kufizuar të Rusisë për të negociuar, përpjekjet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të ruajtur unitetin në vend dhe atë që ai e përshkroi si ndryshime të thella në bashkëpunimin transatlantik.
Në përfundim, Merz u bëri thirrje ligjvënësve të rivendosnin besimin në politikë duke ofruar zgjidhje për problemet konkrete.
“Kështu do ta bindim edhe shumicën dërrmuese të popullsisë sonë për vlerat e demokracisë sonë dhe sistemit tonë ekonomik të bazuar në treg”, shkroi ai. //a.i/