BERLIN – Qeveria gjermane, dënime më të ashpra për agjentët në shërbim të të huajve

BERLIN, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Kushdo që kapet duke vepruar si agjent për një shtet të huaj në Gjermani do të përballet me deri në 10 vjet burg, ose dyfishin e dënimit aktual, sipas një projektligji të miratuar sot nga kabineti gjerman.
Ligji, që parashikon dënime më të rënda, do të zbatohet ndaj kujtdo që pranon të kryejë aktivitete në emër të një shërbimi të zbulimeve të huaj.
Projektligji duhet të miratohet nga parlamenti gjerman.
Aktualisht, shumica e rasteve të tilla dënohen me deri në pesë vjet burg, përveç rastet veçanërisht të rënda. Një ish-punonjës i politikanit të ekstremit të djathtë nga AfD, Maximilian Krah, u dënua dje me katër vjet e gjysmë burg për spiunazh në favor të Kinës.
Me hyrjen në fuqi të dënimeve të reja, aktivitetet e inteligjencës do të klasifikohen si krime veçanërisht të rënda, çka do të lejojë përdorimin e masave të fshehta hetimore, si kërkimet online dhe përgjuarjet në banesa.
Sipas projektligjit, shërbimet e inteligjencës do të kenë gjithashtu të drejtën të transmetojnë gjetjet e tyre te autoritetet federale dhe shtetërore të rendit.
Reforma e planifikuar synon gjithashtu të lehtësojë ndjekjen penale të përgatitjeve për sulme terroriste, pasi, sipas Ministrisë së Drejtësisë, autorët kohët e fundit kanë përdorur gjithnjë e më shpesh objekte të zakonshme, si makina, në vend të armëve. /Ad.Ab./