E Hënë, 2 Nëntor 2026

GAZA – Izraeli urdhëron palestinezët të largohen nga qyteti, përndryshe do të konsiderohen militantë

DEIR AL-BALAH, 1 tetor /ATSH/ –  Ministri izraelit i Mbrojtjes urdhëroi sot  të gjithë palestinezët e mbetur në Qytetin e Gazës të largohen menjëherë, duke e quajtur këtë “mundësinë e fundit” dhe paralajmëroi se kushdo që qëndron do të trajtohet si mbështetës i militantëve dhe do të përballet me “forcën e plotë” të ofensivës së re të Izraelit, sipas AP.

Sipas burimeve spitalore, të paktën 16 palestinezë u vranë në gjithë territorin, ndërsa Hamasi po shqyrton një propozim të ri paqeje nga presidenti amerikan Donald Trump, që synon t’i japë fund luftës dhe të sigurojë lirimin e pengjeve të mbetura nga sulmi i 7 tetorit 2023.

Rreth 400 mijë palestinezë janë larguar nga Qyteti  i Gazës që nga fillimi i ofensivës së madhe të muajit të kaluar, por qindra mijëra të tjerë vazhdojnë të mbeten atje, shumë prej tyre sepse nuk kanë mundësi ekonomike të ikin ose janë shumë të dobët për të përshkuar rrugën drejt kampeve të çadrave në jug.

“Kjo është mundësia e fundit për banorët e Gazës që të zhvendosen në jug dhe të lënë terroristët e Hamasit të izoluar në qytet”, shkroi ministri i Mbrojtjes Israel Katz në platformën X. “Ata që mbeten në Gaza do të konsiderohen terroristë dhe mbështetës të terrorit”. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›