E Hënë, 2 Nëntor 2026

GAZA – Izraeli shton sulmet, ndërsa Hamasi shqyrton planin e Trumpit për paqe

KAJRO, 1 tetor /ATSH/ – Lufta në Gaza po përshkallëzohet, ndërsa Hamasi vazhdon të shqyrtojë planin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili synon t’i japë fund konfliktit pothuajse dyvjeçar me Izraelin. Fraksione të tjera palestineze e kanë refuzuar propozimin, ndërsa Hamasi nuk ka dhënë ende një qëndrim public, sipas “Reuters”.

“Pranimi i planit është një katastrofë, refuzimi i tij është një tjetër; këtu ka vetëm zgjedhje të hidhura, por ky është një plan i Netanyahut, i artikuluar nga Trump”, tha një zyrtar palestinez, i njohur me diskutimet e Hamasit me fraksionet e tjera.

“Hamasi dëshiron t’i japë fund luftës dhe gjenocidit dhe do të përgjigjet në mënyrën që i shërben interesave më të larta të popullit palestinez,” shtoi ai, pa dhënë detaje.

Banorët e Gazës raportuan sulme intensive gjatë gjithë natës nga avionë dhe tanke izraelite. Autoritetet shëndetësore thanë se të paktën 35 persona u vranë sot, shumica në Qytetin e Gazës, duke përfshirë sulme dhe në një shkollë.

Izraeli nxiti qytetarët të largohen drejt jugut dhe paralajmëroi se nuk do të lejojë më kthim në veri, duke synuar izolimin e militantëve të Hamasit.

Ministri izrarelit i  Mbrojtjes, Israel Katz, e quajti këtë “mundësi të fundit për të shpëtuar banorët dhe për të izoluar Hamasin”.

Situata humanitare është dramatike: dy palestinezë, përfshirë një fëmijë, vdiqën nga uria në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e viktimave nga kequshqyerja në të paktën 455 persona. Më shumë se gjysmë milioni palestinezë rrezikojnë të preken nga uria, ndërsa shpërndarja e ndihmës humanitare pengohet nga kufizimet izraelite.

Plani i  presidentit Trump kërkon lirimin e pengjeve, dorëzimin e armëve dhe largimin e Hamasit nga qeverisja e Gazës. Ai nuk përcakton një afat të qartë për krijimin e një shteti palestinez, duke shkaktuar kundërshtime nga fraksione të tjera palestineze, të cilat e konsiderojnë planin të njëanshëm dhe në favor të Izraelit.

Shumë udhëheqës botërorë e kanë mbështetur publikisht planin, ndërsa tensionet dhe bombardimet në Gaza vazhdojnë të rriten, duke thelluar krizën humanitare dhe pasigurinë për banorët. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›