BM - Pas humbjes së Trump, Burnham bën thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ulje të tensioneve - ATSH -
LONDËR, 4 nëntor /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik, Andy Burnham, tha se rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA krijojnë një mundësi që bota të bashkohet për t’i dhënë fund luftës në Iran dhe për të lehtësuar koston e jetesës.
Duke folur në takimin e krerëve të qeverive të Komonuelthit në Antigua, Burnham u shpreh se presidenti amerikan, Donald Trump, i ka pranuar rezultatet e zgjedhjeve dhe se tani bota duhet të përqendrohet te çështjet që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
“Bota ka tani një mundësi të bashkohet rreth çështjes që na prek të gjithëve, dhe kjo është kostoja e jetesës”, tha Burnham.
Ai theksoi se kjo ka qenë çështja kryesore ku është përqendruar që prej tre muajve të parë në detyrë, duke shtuar se qeveria e tij ka ndërmarrë hapa për këtë drejtim.
Megjithatë, sipas tij, presioni mbi koston e jetesës nuk mund të lehtësohet për sa kohë vazhdojnë konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, të nisur nga Rusia.
“Këto janë çështjet ku duhet të përqendrohemi tani dhe shpresoj që bota të ketë një moment për ta bërë këtë. Në bisedat e mia me liderët, kjo është ajo që do t’u kërkoj të gjithëve”, tha ai.
I pyetur nëse rezultatet e zgjedhjeve në SHBA janë pjesë e një prirjeje globale të rënies së së djathtës populiste, Burnham tha se qytetarët duan që vendet të bashkëpunojnë dhe të përqendrohen te problemet që kanë më shumë rëndësi për ta.
“Sipas mendimit tim, ky është mesazhi që po japin votuesit në SHBA. Le të përqendrohemi plotësisht te çështjet që lidhen me koston e jetesës”, u shpreh ai.
Burnham shtoi se asnjë vend nuk mund t’i zgjidhë i vetëm këto probleme, veçanërisht kur marrëdhëniet mes shteteve karakterizohen nga përçarjet.
Ai tha se si kryeministër ka punuar për një qasje të re ndaj Lindjes së Mesme, Evropës dhe vendeve të Komonuelthit, duke argumentuar se bashkëpunimi me Evropën mund të ndihmojë në rikthimin e rritjes ekonomike dhe në uljen e presionit mbi koston e jetesës.
Në fund, i pyetur nëse ka shqetësime për përshkallëzimin e konfliktit me Iranin, kryeministri britanik tha se qeveria e tij do të kërkojë uljen e tensioneve. //a.i/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
