FOKUS – Ndërsa bota tronditet nga luftërat, OKB mblidhet për një rrugëdalje

NJU JORK, 22 shtator /ATSH/ – Liderët botërorë mblidhen sot në një nga momentet më të trazuara në historinë 80-vjeçare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përballë sfidave të rënda; luftërat e pandalshme në Gaza dhe Ukrainë, ndryshimet e thella në qasjen e SHBA-s ndaj botës, uria globale dhe teknologjitë që po ecin më shpejt sesa aftësia për t’i kontrolluar ato, sipas AP.
Vetë OKB-ja, e dalë nga rrënojat e Luftës së Dytë Botërore mbi idenë e bashkëpunimit mes shteteve, po kalon krizë.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar është nën presione të papara në jetën tonë”, tha javën e kaluar sekretari i përgjithshëm Antonio Guterres.
Megjithatë, Asambleja e Përgjithshme do të mbledhë rreth 150 liderë nga 193 shtete anëtare.
“Po mblidhemi në ujëra të trazuara, madje të pashkelura më parë”, paralajmëroi Guterres, duke përmendur ngrohjen e planetit, teknologjitë e reja pa rregulla mbrojtëse dhe pabarazitë që thellohen çdo orë.
Ai theksoi se liderët duhet të bëjnë përparim të vërtetë dhe jo vetëm “premtime e poza politike.”
Gaza, Ukraina dhe roli i OKB-së në qendër të vëmendjes
Ekspertët e OKB-së besojnë se tri çështje do të dominojnë javën e nivelit të lartë; paraqitja e parë e presidentit amerikan Donald Trump në mandatin e tij të dytë, gjendja dramatike në Gaza dhe e ardhmja e vetë OKB-së përballë shkurtimeve të mëdha financiare e të stafit, pas ndërprerjes së pagesave amerikane në buxhetin e saj të rregullt dhe atë të paqeruajtjes.
Lufta gati dyvjeçare në Gaza pritet të jetë në qendër të vëmendjes, ndërkohë që Izraeli po zhvillon një ofensivë të re në qytetin e Gazës, ndërsa një raport i ekspertëve të pavarur të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së akuzoi Izraelin për gjenocid, akuzë që Tel Avivi e hodhi poshtë si “të shtrembëruar dhe të rreme”.
“Palestina do të jetë elefanti i madh në këtë sesion të Asamblesë së Përgjithshme”, tha ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour.
Çështja do të jetë kryesore në takimin e nivelit të lartë sot, bashkëdrejtuar nga Franca dhe Arabia Saudite, për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete. Por vëmendja do të rritet edhe më shumë pasi administrata Trump refuzoi t’i jepte vizë presidentit palestinez Mahmoud Abbas.
Pas një vendimi të Asamblesë së Përgjithshme, Abbas do të flasë me video, njësoj siç ndodhi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në vitin 2022. Këtë vit Zelenskyy do të jetë vetë i pranishëm në Nju Jork.
Ndërkohë, më shumë se 145 vende e kanë njohur tashmë Palestinën si shtet, dhe Mansour tha sot pritet të shtohen edhe “dhjetë njohje të reja.”
Një javë plot sfida
Takimet e nivelit të lartë nisin të martën me fjalimin e Guterres mbi “gjendjen e botës”, të pasuar nga presidenti Trump. Shumë liderë do të presin se çfarë do të thotë për tarifat, Rusinë dhe Kinën.
Vëmendje pritet të tërheqë edhe presidenti i përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa, pas rrëzimit të Bashar al-Asadit në dhjetor, si dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian. Ky i fundit mbërrin në Nju Jork pak ditë pasi Këshilli i Sigurimit vendosi të mos heqë përgjithmonë sanksionet ndaj Teheranit për shkak të programit bërthamor. Afati për një marrëveshje me fuqitë evropiane skadon më 27 shtator, përndryshe sanksionet rikthehen automatikisht.
Gjatës javës së seyionit të 80 rë Asambëesë do rë zhvillohen gjithashtu takime për klimën, luftën në Sudan, situatën në Somali dhe Haitin, ku bandat kontrollojnë mbi 90% të kryeqytetit.
Sot do të përkujtohet edhe 30-vjetori i konferencës së Pekinit për barazinë gjinore, por OKB-ja thotë se barazia është gjithnjë e më larg, në ritmin aktual, do të duhen 300 vjet.
Një tjetër objektiv i Guterres është reforma e OKB-së, për ta bërë atë më të përgjegjshme ndaj realitetit të vitit 2025. Për shkak të shkurtimeve, buxheti operativ për vitin 2026 duhet të ulet me 15%, në 3,2 miliardë dollarë, dhe stafi me 19% , rreth 2,681 poste.
“OKB-ja po kalon një periudhë jashtëzakonisht të vështirë”, tha eksperti Richard Gowan nga” International Crisis Group”.
“Roli i saj në paqe dhe siguri nuk është më ai i dikurshmi, por organizata do të vazhdojë të ecë përpara, edhe pse me vështirësi”. / Ad.Ab./