BM – Starmer: Marrëdhënia speciale me SHBA-në vazhdon, pavarësisht përplasjes me Trump

LONDËR, 5 mars /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer ka këmbëngulur se marrëdhënia “speciale” mes Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të funksionojë, pavarësisht tensioneve të fundit me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me përdorimin e bazave britanike për sulmet fillestare amerikane ndaj Iranit.
Starmer theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve vazhdon të jetë aktiv “pikërisht tani”, duke përmendur shkëmbimin e inteligjencës 24 orë në ditë dhe koordinimin ushtarak në rajon, në një kohë kur lufta në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet.
Deklarata e tij erdhi pasi Trump e kritikoi sërish Londrën për refuzimin e saj fillestar për të përdorur bazat britanike për valën e parë të sulmeve ndaj Iranit.
Presidenti amerikan e quajti reagimin e Britanisë së Madhe “shumë zhgënjyes” dhe tha se SHBA-ja duhej të kishte akses në bazat britanike “pa asnjë pyetje apo hezitim”.
Qeveria britanike ka tentuar të kufizojë përfshirjen në konflikt, por të dielën Starmer miratoi përdorimin – për SHBA-në – të bazës së përbashkët britaniko-amerikane, në Diego Garcia si dhe të bazës ajrore “RAF Fairford” për sulme “mbrojtëse” në mbështetje të vendeve që po goditen nga Teherani.
Megjithatë, vendimi për të mos lejuar përdorimin e menjëhershëm të këtyre bazave për sulmet e para shkaktoi pakënaqësi te Trump, i cili madje kritikoi Starmer duke thënë: “Nuk kemi të bëjmë me Winston Churchill”.
Në një konferencë për shtyp, Starmer hodhi poshtë idenë se marrëdhënia mes dy vendeve është dëmtuar.
“Po punojmë me amerikanët në dislokimin nga bazat tona, po bashkëpunojmë në rajon dhe po ndajmë inteligjencë 24 orë në ditë. Kjo është marrëdhënia speciale në veprim”, tha ai.
Dy liderët biseduan për herë të fundit në telefon të shtunën në mbrëmje.
Ndërkohë, Trump, në një intervistë për “New York Post”, përsëriti kritikat ndaj kryeministrit britanik, duke thënë se performanca e tij në këtë krizë ishte “shumë zhgënjyese”, edhe pse shtoi se “shkonte mirë me të”, por ndonjëherë Starmer “nuk i bën gjërat që duhet të bëjë”.
Starmer gjithashtu u përpoq të ulte shqetësimet për sigurinë e trupave britanike në rajon, duke theksuar se Britania e Madhe kishte nisur dislokime paraprake që në fillim të vitit, veçanërisht në Katar dhe në Qipro, ku baza ajrore “RAF Akrotiri” u godit nga një dron më herët gjatë javës.
Për të forcuar mbrojtjen, Britania e Madhe do të dërgojë edhe anijen luftanije me mbrojtje ajrore “HMS Dragon”, e cila pritet të niset nga Britania e Madhe, javën e ardhshme.
Kryeministri britanik tha se ishte i bindur se qeveria mund të mbronte qytetarët dhe personelin britanik në rajon, ndërsa autoritetet po punojnë për të ndihmuar dhe riatdhesuar shtetasit britanikë sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt. //a.i/