E Diel, 1 Nëntor 2026

“Washington Post”: Trump u ofron kurdëve mbështetje për të nisur kryengritjen kundër regjimit në Iran

UASHINGTON, 5 mars /ATSH/- Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar udhëheqësve kurdë në Irak dhe grupeve kurde në Iran të mbështesin një kryengritje kundër qeverisë së Teheranit, sipas “Washington Post”.

Trump e diskutoi çështjen në një seri telefonatash këtë javë me udhëheqësit kurdë nga rajoni autonom i Kurdistanit irakian dhe përfaqësuesit e opozitës kurde iraniane.

Gjatë një bisede telefonike të dielën, me udhëheqësin e Unionit Patriotik të Kurdistanit (PUK), Bafel Talabani, presidenti amerikan ofroi mbështetjeje për grupet kurde antiqeveritare për t’i mundësuar atyre marrjen e kontrollit të Iranit perëndimor.

“Trump ishte i qartë në telefonatën e tij: ai tha se kurdët duhet të zgjedhin një anë në këtë betejë, ose me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin ose me Iranin”, tha një zyrtar i lartë i PUK-ut.

Sipas të njëjtit burim, Uashingtoni u kërkoi autoriteteve kurde irakiane të mos pengonin mobilizimin e grupeve kurde iraniane të pranishme në Irak dhe të ofronin mbështetje logjistike.

Burimi u konfirmua nga Partia Demokratike e Kurdistanit (KDP), forca tjetër kryesore politike në rajonin autonom të udhëhequr nga Masoud Barzani, e cila theksoi se çdo operacion i mundshëm do të varej kryesisht nga niveli i mbështetjes së brendshme për Iranin.

Sipas Washington Post, Trump bisedoi gjithashtu të martën me Mustafa Hijri, udhëheqësin e Partisë Demokratike të Kurdistanit Iranian (KDP), grupi më i vjetër opozitar kurd në Iran.

KDP është pjesë e një koalicioni prej gjashtë partish antiqeveritare kurde që javën e kaluar njoftuan krijimin e një fronti të përbashkët, Koalicioni i Forcave Politike të Kurdistanit Iranian. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›