BRUKSEL – BE: Takimi Trump-Putin nuk mund të vendosë për shkëmbimet e territoreve në Ukrainë

BRUKSEL, 11 gusht /ATSH/- Ukraina dhe mbështetësit e saj evropianë këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia nuk mund të vendosin për shkëmbime tokash “pas shpine” gjatë samitit të planifikuar këtë javë, sipas AP.
Evropianët thanë se Moska nuk ka gjasa të heqë dorë nga kontrolli i tokës ukrainase.
Përpara samitit në Alaskë të premten, presidenti i SHBA-së, Donald Trump sugjeroi se një marrëveshje paqeje mund të përfshinte disa shkëmbime territoresh, por evropianët nuk shohin asnjë shenjë se Rusia mund të ofrojë diçka për shkëmbim. Evropianët dhe ukrainasit deri më tani nuk janë ftuar në samit.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen sot pas bisedimeve mbi Ukrainën midis këshilltarëve të sigurisë të SHBA-së dhe Evropës gjatë fundjavës.
Ministrat e BE-së besojnë se presidenti Vladimir Putin do të përpiqet të pretendojë një fitore politike duke e portretizuar Ukrainën si të paepur.
Shqetësimet janë rritur në Evropë dhe Ukrainë se Kievi mund të jetë nën presion për të hequr dorë nga toka ose për të pranuar kufizime të tjera të sovranitetit të tij.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kane hedhur poshtë idenë që Putini duhet të pretendojë çdo territor edhe para se të bjerë dakord për një armëpushim.
“Ndërsa punojmë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë, e drejta ndërkombëtare është e qartë: Të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht i përkasin Ukrainës”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në prag të takimit ministror.
“Një paqe e qëndrueshme do të thotë gjithashtu se agresioni nuk mund të shpërblehet”, tha Kallas.
Në vitin 2022, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës, dhe Kherson dhe Zaporizhia në jug, edhe pse nuk i kontrollon plotësisht ato.
Ajo gjithashtu pushtoi Gadishullin e Krimesë, në vitin 2014. //a.i/