BRUKSEL – BE: Të alarmuar nga situata humanitare në Gaza

BRUKSEL, 24 korrrik /ATSH-AFP/ – Disa vende të Bashkimit Evropian kanë përsëritur shqetësimet e tyre në lidhje me situatën humanitare “katastrofike” në Gaza dhe synojnë të vazhdojnë përpjekjet e tyre në javët e ardhshme, njoftuan burime diplomatike.
Në këtë takim, përfaqësuesit e 27 vendeve shprehën shqetësim në lidhje me zbatimin efektiv të marrëveshjes së arritur dy javë më parë nga BE-ja me Izraelin për të përmirësuar aksesin humanitar në Gaza.
Përballë mungesës së përparimit, disa vende i kanë kërkuar Komisionit Evropian t’u paraqesë atyre “masa konkrete” pasi kanë paraqitur opsione të mundshme në lidhje me Izraelin për 27 vendet, sipas këtyre burimeve.
Sipas një burimi evropian, kjo marrëveshje parashikon kalimin ditor të afërsisht 160 kamionëve me ndihmë humanitare në Gaza, dyfishi i shifrës aktuale.
Të enjten, autoritetet izraelite raportuan se afërsisht 70 kamionë ishin shkarkuar në pikat kufitare një ditë më parë.
“Është e qartë se ka ende shumë, shumë për të bërë”, theksoi një zëdhënës i shërbimit diplomatik të BE-së.
Ambasadorët e 27 vendeve pritet ta diskutojnë përsëri çështjen javën e ardhshme në një takim të ri.
Ata gjithashtu synojnë të qëndrojnë të mobilizuar gjatë gjithë gushtit, pavarësisht pushimeve tradicionale verore në Bruksel, sipas këtyre diplomatëve.
Ministrja e Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, përsëriti se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë nëse Izraeli nuk arrin të përmbushë angazhimet e tij’’.
Një raport i Komisionit Evropian, i paraqitur 27 vendeve në fund të qershorit, zbulon se Izraeli ka shkelur Nenin 2 të Marrëveshjes së Asocimit midis Izraelit dhe BE-së, në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut.
Si pasojë, Kallas ka përgatitur një listë opsionesh të mundshme për 27 vendet: pezullimin e të gjithë marrëveshjes, ndalimin e eksporteve nga territoret e pushtuara palestineze, rishikimin e politikës së vizave ose edhe pezullimin e pjesës tregtare të Marrëveshjes të Asocimit. /os/