BRUKSEL – BE arrin marrëveshje për investimet në mbrojtje

BRUKSEL, 19 qershor /ATSH/- Qeveritë e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje mbi një skemë të BE-së prej 1,5 miliardë eurosh (1,73 miliardë dollarë) – për të financuar investimet në mbrojtje – megjithëse disa vende u ankuan se dispozitat e “Blerjes së Produkteve Evropiane” ishin shumë kufizuese, thanë dje në mbrëmje diplomatët, raportoi “Reuters”.
Qeveritë kanë patur mosmarrëveshje për më shumë se një vit – lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për një Program Industrial të Mbrojtjes Evropiane (EDIP) – pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’u riarmatosur – të nxitur nga pushtimi rus në Ukrainë, në vitin 2022.
Gjatë diskutimeve, Franca kërkoi rregulla të rrepta për të nxitur industrinë evropiane, ndërsa vende të tilla si Holanda argumentuan se nevojitej më shumë fleksibilitet për të blerë armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe vende të tjera.
Sipas marrëveshjes përfundimtare, të paktën 65% e kostove të komponentëve të një artikulli të financuar – sipas skemës – duhet të kishte origjinën në BE ose në disa vende të asociuara, me disa përjashtime.
“Liderët nga 27 vendet e BE-së pritet ta miratojnë marrëveshjen të hënën”, thanë diplomatët në kushte anonimiteti.
Më pas, do të jetë subjekt i negociatave me Parlamentin Evropian përpara se të hyjë në fuqi.
“Ne e mbështesim plotësisht qëllimin e rritjes së sigurisë dhe qëndrueshmërisë evropiane përmes rritjes së bashkëpunimit dhe investimeve në mbrojtje”, thanë në një deklaratë të përbashkët, grupi prej 10 vendesh – Holanda, Estonia, Letonia, Lituania, Republika Çeke, Bullgaria, Rumania, Kroacia, Sllovakia dhe Finlanda.
“Megjithatë, ne përballemi me një kërcënim urgjent ndaj territorit dhe interesave evropiane”, thuhet në deklaratë.
Ata thanë se industria mbrojtëse e BE-së “varet ende – veçanërisht në afat të shkurtër dhe të mesëm – nga komponentët kritikë, teknologjitë dhe njohuritë nga vendet e treta me të njëjtat mendime, në veçanti aleatët transatlantikë”.
Pavarësisht kundërshtimeve të tyre, vendet thanë se nuk donin të pengonin fillimin e negociatave me Parlamentin Evropian.
Zyrtarët e BE-së thanë se buxheti prej 1,5 miliardë eurosh për programin në sektorin e mbrojtjes ishte modest – por kriteret u kundërshtuan ashpër pasi ai mund të sigurojë fonde më të mëdha në të ardhmen. //a.i/