BRUKSEL – BE do të rrisë bashkëpunimin me Egjiptin për të frenuar migracionin e parregullt

BRUKSEL, 23 tetor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian planifikon të zgjerojë bashkëpunimin me Egjiptin për të frenuar migracionin e parregullt, pavarësisht kritikave nga grupet për të drejtat e njeriut.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi në Bruksel angazhime të reja investimi, pas bisedimeve me presidentin egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi.
Sipas marrëveshjeve të reja, 75 milionë euro në grante nga BE-ja do të mbështesin sektorët e shëndetësisë dhe furnizimit me ujë në Egjipt, si edhe sistemet e mbrojtjes sociale në vend.
Partneriteti synon gjithashtu të ndihmojë Egjiptin në luftën kundër trafikimit të njerëzve dhe forcimin e sigurisë kufitare, sipas deklaratës së Komisionit. Bashkëpunimi do të përfshijë edhe kthimet (deportimet).
Sipas Kombeve të Bashkuara, Egjipti strehon më shumë se 1 milion refugjatë nga vende të goditura nga krizat, shumë prej të cilëve përpiqen të kalojnë Mesdheun për të arritur në Evropë. Përveç tyre, një numër i madh egjiptianësh largohen për arsye ekonomike dhe mbërrijnë në Evropë.
Në mars të vitit 2024, BE-ja dhe Egjipti kishin rënë dakord për një partneritet strategjik e gjithëpërfshirës, që parashikon rreth 7,4 miliardë euro mbështetje financiare deri në fund të vitit 2027. Samiti i djeshëm ishte i pari i këtij lloji në marrëdhëniet dypalëshe.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut thonë se “shtypja sistematike” ndaj zërave kritikë në Egjipt ka vazhduar, pavarësisht afrimit me Brukselin.
Hapat e ndërmarrë, si lirimi i aktivistit të njohur Alaa Abdel-Fattah, u cilësuan nga “Human Rights Watch” dhe organizata të tjera si “masa të kufizuara dhe simbolike”.
Sipas tyre, kritikët vazhdojnë të arrestohen në mënyrë arbitrare dhe të dënohen me afate të gjata pas gjyqeve të padrejta, ndërsa ekzekutimet jashtëligjore mbeten pothuajse të pandëshkuara. /Ad.Ab./