BUDAPEST – Hungaria, bisedime për blerjen e karburantit bërthamor nga SHBA-ja

BUDAPEST, 23 tetor /ATSH/ – Hungaria do të nisë bisedimet për blerjen e karburantit bërthamor nga Shtetet e Bashkuara për të diversifikuar furnizimin e saj, tha ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, në një intervistë për kanalin shtetëror të lajmeve M1, sipas “Reuters”.
Szijjarto, i cili ndodhet në Uashington, tha se Hungaria ka nevojë për më shumë karburant bërthamor për të përmbushur nevojat e saj në rritje të energjisë, ndërsa zgjeron centralin e saj bërthamor, dhe se do të vazhdojë të blejë karburant edhe nga Rusia.
“Përveç marrëdhënieve ekzistuese me furnizuesin rus, po nisim konsultime për blerjen e karburantit bërthamor edhe nga Shtetet e Bashkuara, për të mundësuar shërbimin e kapacitetit tonë të zgjeruar bërthamor në mënyrë të sigurt”, tha Szijjarto për M1.
Szijjarto nuk dha detaje se kur Hungaria mund të blejë karburant nga SHBA-ja ose sa janë nevojat e saj mund të mbulohen nga importet amerikane.
Centrali bërthamor i Hungarisë, “Paks”, ka aktualisht katër reaktorë të vegjël VVER 440 të ndërtuar nga Rusia me kapacitet të kombinuar rreth 2 000 megavat, dhe furnizohet aktualisht nga karburanti rus.
Hungaria planifikon të zgjatë jetën e reaktorëve aktualë për 20 vjet dhe po zgjeron gjithashtu centralin, me dy reaktorë të tjerë “VVER” me kapacitet 1,2 gigavat secili, të ndërtuar nga kompania ruse “Rosatom”.
Projekti i zgjerimit “Paks II.”, i cili ka pësuar vonesa të konsiderueshme, iu dha në vitin 2014 pa tender “Rosatom”, një vendim që shpesh shihet si tregues i marrëdhënieve të ngrohta mes kryeministrit Viktor Orban dhe Presidentit rus, Vladimir Putin.
Qeveria hungareze njoftoi vitin e kaluar se Hungaria gjithashtu do të blejë karburant bërthamor nga kompania franceze “Framatome” nga viti 2027. /Ad.Ab./