BRUKSEL – BE marrëveshje me Izraelin për të rritur ndihmën humanitare në Gaza

BRUKSEL, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Izraeli ka pranuar “masa të rëndësishme” për të përmirësuar situatën humanitare në Gaza, deklaroi përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.
Në një deklaratë, Kallas tha se Izraeli ka rënë dakord për një rritje të konsiderueshme të numrit të kamionëve të ndihmës humanitare që hyjnë në Gaza çdo ditë, hapjen e disa kalimeve kufitare shtesë dhe rihapjen e rrugëve të shpërndarjes së ndihmës, si dhe shpërndarjen e ushqimit, duke përfshirë edhe përmes furrave të bukës dhe kuzhinave publike.
Masat shtesë përfshijnë rifillimin e furnizimeve me karburant për objektet humanitare, mbrojtjen e punonjësve të ndihmës dhe riparimin e infrastrukturës jetësore, duke përfshirë furnizimin me energji elektrike dhe ujë.
“Këto masa janë ose do të zbatohen në ditët në vijim, me mirëkuptimin e përbashkët se ndihma në shkallë të gjerë duhet t’i dorëzohet drejtpërdrejt popullsisë dhe se do të vazhdojnë të merren masa për të siguruar që të mos ketë devijim të ndihmës për Hamasin”, theksoi ajo.
“Ne mbështetemi te Izraeli për të zbatuar çdo masë të rënë dakord”, shkroi Kallas në një postim të veçantë në platformën e mediave sociale X./ /os/