BRUKSEL – BE transferon 4 miliardë euro të tjera ndihmë për Ukrainën

BRUKSEL, 22 gusht /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian ka ofruar një ndihmë të mëtejshme financiare me vlerë 4,05 miliardë euro – përpara Ditës së 34-të të Pavarësisë së Ukrainës.
“Solidariteti i BE-së me Ukrainën është i palëkundur”, shkroi sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në X.
Shpërndarja e më shumë se 4 miliardë eurove tregon angazhimin e fortë të BE-së për rimëkëmbjen dhe të ardhmen e vendit.
Komisioni tha se 3,05 miliardë euro vijnë nga Instrumenti i Ukrainës, një program për ndihmën – me vlerë deri në 50 miliardë euro për vitet 2024 deri në 2027.
Përveç kësaj, 1 miliard euro sigurohen nga një kredi ndihme makro-financiare që është pjesë e një iniciative të G7 me një total prej rreth 45 miliardë eurosh.
Komisioni Evropian (KE) tha se zhbllokimi i fondeve ishte bërë i mundur edhe nga tërheqja e një ligji që do të kishte kufizuar pavarësinë e autoriteteve qendrore anti-korrupsion të Ukrainës.
KE e mirëpriti këtë veprim dhe theksoi se reformat e shtetit të së drejtës dhe anti-korrupsionit në Ukrainë mbeten thelbësore për rrugën e saj të mëtejshme drejt anëtarësimit në BE.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022, BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë premtuar pothuajse 169 miliardë euro ndihmë, duke filluar nga mbështetja ushtarake dhe financiare deri te ndihma për refugjatët. //a.i/