E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE zgjat sanksionet ekonomike kundër Rusisë

BRUKSEL, 30 qershor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian ka zgjatur sanksionet e saj të ashpra ekonomike kundër Rusisë deri më 31 janar 2026 – për shkak të mungesës së progresit në arritjen e paqes në Ukrainë.

Këto janë masa ekzistuese dhe janë të ndara nga një paketë e 18-të sanksionesh kundër Rusisë që po përgatitet nga BE-ja.

Masat e reja kërkojnë mbështetje unanime nga shtetet anëtare dhe Sllovakia deri më tani nuk ka dhënë pëlqimin e saj.

“Për sa kohë që veprimet e paligjshme nga Federata Ruse vazhdojnë të shkelin rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare, në veçanti, ndalimin e përdorimit të forcës, është e përshtatshme të mbahen në fuqi të gjitha masat e vendosura nga BE”, thanë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së në një deklaratë të lëshuar sot në Bruksel.

Sanksionet vazhdojnë të jenë një përgjigje ndaj “agresionit ushtarak të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës”, i cili është në vitin e tij të katërt.

Për javë të tëra, ka pasur shqetësime se Hungaria mund ta bllokonte vendimin.

“Nëse Rusisë i jepet liri veprimi, kjo mund të nxisë përpjekjet për paqe të presidentit të SHBA-së, Donald Trump”, tha Hungaria.

Trump mbështetet në marrëdhënien e tij të mirë me presidentin rus, Vladimir Putin për të hartuar një marrëveshje, ku fillimisht kërkoi lëshime nga Ukraina në këmbim të një armëpushimi.

SHBA-ja kërkon që Ukraina të braktisë ambiciet e saj për anëtarësim të shpejtë në NATO dhe të pranojë që një pjesë e territorit të saj të mbetet përgjithmonë nën kontrollin rus.

Sanksionet ekonomike ekzistuese të BE-së kundër Rusisë përfshijnë kufizime në tregti, financa, energji, industri, transport dhe mallra luksoze.

Ekziston gjithashtu një ndalim për importet e naftës bruto ruse nga deti, dhe disa banka ruse janë shkëputur nga sistemi i komunikimit financiar “Swift”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›