E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – Eurodeputeti Kyuchyuk: E ardhmja e Evropës qëndron në Ballkan

BRUKSEL, 5 shkurt /ATSH-BTA/ – Eurodeputeti bullgar Ilhan Kyuchyuk, nga grupimi “Renew Europe”, deklaroi se integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një çështje politike, por një kauzë afatgjatë e mbështetur mbi vizion, angazhim dhe besim.

Ai ishte mikpritës i forumit ”Ballkani Perëndimor 2026: Një kapitull i ri për Evropën”, i mbajtur në Bruksel.

Kyuchyuk theksoi se pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve evropiane, diplomatëve dhe ekspertëve në diskutime tregon qartë se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit mbetet një prioritet strategjik për Unionin.

Sipas tij, zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me gjeografinë apo afatet kohore, por me vlera të përbashkëta, standarde demokratike dhe një të ardhme të përbashkët evropiane.

Eurodeputeti rikujtoi angazhimin e tij të hershëm dhe të vazhdueshëm për perspektivën evropiane të rajonit, përfshirë forumin “EU Meets the Balkans” (”BE takon Ballkanin”), i cili prej vitesh ka mbledhur në Sofje komisionerë të BE-së, ministra të Jashtëm, diplomatë dhe ekspertë të shquar.

”Kjo nismë vazhdon të shërbejë si një platformë dialogu, ndërtimi besimi dhe hartimi politikash në mbështetje të zgjerimit”, tha ai.

Në aktivitet morën pjesë figura kyçe nga partitë liberale, komisioneri evropian për Demokracinë, Drejtësinë dhe Shtetin e së Drejtës, Michael McGrath, eurodeputetë dhe ekspertë të fushës./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›