BRUKSEL – KE: Nuk ka prova për sulm kibernetik, pas ndërprerjes se energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali

BRUKSEL, 28 prill /ATSH-DPA/- Aktualisht, nuk ka asnjë indikacion se shkaku i ndërprerjes së gjerë të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali mund të ketë qenë një sulm kibernetik, shkroi sot në X presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Operatorët e rrjetit në të dy vendet po punojnë për të gjetur shkakun dhe për të rivendosur furnizimin me energji elektrike”, shtoi Costa.
“Furnizimi me energji elektrike është rikthyer në disa zona në veri, jug dhe perëndim të Spanjës”, raportoi operatori spanjoll i rrjetit elektrik “Red Eléctrica” në X.
Gazeta spanjolle “El País”, duke cituar një zëdhënës të operatorit të rrjetit elektrik – tha se mund të duhen gjashtë deri në 10 orë për të rivendosur plotësisht furnizimin me energji elektrike në rrjetin spanjoll. //a.i/