E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – Kallas: Çdo kërcënim ndaj jetës së diplomatëve është i papranueshëm

BRUKSEL, 21 maj /ATSH-DPA/ – Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i kërkoi sot Izraelit të hetojë një incident, ku trupat izraelite qëlluan me armë ndërsa diplomatët vizitonin Xheninin në Bregun Perëndimor.

Kallas ishte informuar për incidentin ku, sipas saj, ” forcat mbrojtëse izraelite qëlluan me armë paralajmëruese… ndaj një grupi diplomatësh që po i afroheshin kampit të refugjatëve brenda vizitës së organizuar nga Autoriteti Palestinez”.

“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të hetojë këtë incident dhe gjithashtu të mbajë përgjegjës ata që kryen këtë akt’’, u tha Kallas gazetarëve.

“Çdo kërcënim ndaj jetës së diplomatëve është i papranueshëm”, tha ajo.

Kallas theksoi se Izraeli ishte i detyruar “të garantonte sigurinë e të gjithë diplomatëve të huaj”.

Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prevot, tha se ishte “i tronditur kur mësoi se ushtria izraelite sot hapi zjarr ndaj rreth 20 diplomatëve, përfshirë një koleg belg”.
“Për fat të mirë, ai është mirë”, shtoi Prévot.

“Këta diplomatë ishin në një vizitë zyrtare në Xhenin, e cila ishte koordinuar me ushtrinë izraelite, në një autokolonë prej rreth 20 automjetesh, qartësisht të identifikueshme. Belgjika po i kërkon Izraelit një shpjegim bindës”, theksoi ai./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›