FOKUS – BE: Katastrofë humanitare në Gaza, furnizimet me ushqime kanë mbaruar

BRUKSEL, 21 maj /ATSH-ANSA/ – Situata në Gaza është katastrofike, ndihma që Izraeli ka lejuar të hyjë në Gaza është si një pikë uji në oqean, theksoi komisioneri i BE-së, Glenn Micallef.
”Për më shumë se 80 ditë, Izraeli ka bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza dhe kjo do të thotë 80 ditë pa ushqim, pa ilaçe apo produkte të tjera të rëndësishme dhe jetësore”, shtoi ai.
”Asgjë nga këto nuk ka hyrë në Rripin e Gazës dhe sipas Kombeve të Bashkuara, furnizimet me ushqim tani kanë shteruar”, theksoi Micallef.
“Izraeli është i detyruar sipas ligjit ndërkombëtar të sigurojë që ndihma humanitare të arrijë tek popullata në nevojë. Më 18 maj, pas presionit të fortë ndërkombëtar, qeveria izraelite njoftoi rifillimin e disa ndihmave”, shpjegoi Micallef.
”Përfaqësuesja e Lartë ka njoftuar një rishikim të Nenit 2 të Marrëveshjes sonë të Asociimit me Izraelin dhe tani kemi nevojë që Izraeli të lëshojë ndihmë humanitare”, përfundoi komisioneri./ /os/