E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Donald Trump Jr drejt Zyrës Ovale?

NJU JORK, 21 maj /ATSH-ANSA/ – Ndoshta një ditë… është pohimi i Donald Trump Jr, djali i presidentit aktual amerikan, Donald Trump, që nuk e fsheh faktin se po përkëdhel idenë e një kandidature të mundshme për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.

Pasi mohoi kategorikisht (vetëm dy muaj më parë) thashethemet rreth aspiratave të tij presidenciale, djali i madh i Donald Trump hap sërish mundësinë e një kandidimi, por pa dhënë detaje mbi kohën.

”Është një nder të më kërkohet dhe një nder të shoh që disa njerëz nuk kanë kundërshtim ndaj idesë”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjeve nëse e kishte konsideruar kandidimin për detyrën më të lartë shtetërore.

Një mbështetës dhe mbrojtës i flaktë i babait të tij, Donald Jr. konsiderohet nga shumë njerëz si trashëgimtari natyror i lëvizjes MAGA, falë daljes nga skena politike të motrës së tij Ivanka, vajzës së preferuar të manjatit.

Kandidatura e tij mund të hapë rrugën për një dinasti Trump në të njëjtin nivel me ato më të shquara në Shtetet e Bashkuara, nga Kennedy-t te Bush-ët, te Clinton-ët dhe duke kaluar te Rockefeller-ët, Roosevelt-ët apo Mellon-ët.

Donald Jr. nuk është i vetmi në garë për të vazhduar trashëgiminë e të atit.

Në garë janë edhe zëvendëspresidenti JD Vance, i zgjedhur nga Trump falë djalit të tij të madh, dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio.

Ndërsa republikanët po kërkojnë fytyrën e re të MAGA-s, demokratët po kërkojnë fytyra të reja për të ringjallur një parti të shkatërruar nga humbja e nëntorit të kaluar dhe nga thashethemet rreth fshehjes së informacionit për shëndetin e Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë.

Lista e kandidatëve të mundshëm për vitin 2028 është e gjatë, nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, te guvernatorët e Pensilvanisë dhe Miçiganit, Josh Shapiro dhe Gretchen Whitmer.

Por kohët e fundit vëmendja është kthyer tek Pete Buttigieg, ish-sekretari i Transportit i Bidenit, dhe përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez, të konsideruara si fytyrat e rezistencës liberale ndaj Trumpit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›