E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – Komisioni i BE-së i Von der Leyen do të përballet me votë mosbesimi

BRUKSEL, 2 korrik /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian nën drejtimin e presidentes, Ursula von der Leyen do të përballet me një votë mosbesimi në Parlamentin Evropian.

Presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola i informoi krerët e grupeve parlamentare për zhvillimin e pasdites së sotme.

Mocioni i mosbesimit u paraqit nga ligjvënësi rumun i krahut të djathtë të BE-së, Gheorghe Piperea.

Iniciativa akuzon komisionin për mungesë transparence dhe keqmenaxhim, veçanërisht në lidhje me trajtimin e pandemisë Covid-19.

Mocioni kishte nevojë për mbështetjen e 1/10 së ligjvënësve të BE-së, ose të paktën 72 nënshkruesve, në mënyrë që të debatohej dhe votohej gjatë seancës plenare të javës së ardhshme në Strasburg.

Nëse miratohet, komisioni do të duhet të japë dorëheqjen në tërësi me presidenten e saj dhe 26 komisionerët e BE-së.

Megjithatë, një skenar i tillë konsiderohet i pamundur, pasi do të kërkonte një shumicë të dyfishtë që përbëhet nga dy të tretat e votave të hedhura dhe që përfaqëson shumicën e 720 vendeve të parlamentit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›