E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – NATO bën thirrje për më shumë armë për Ukrainën, ndërsa mbështetja perëndimore reduktohet

BRUKSEL, 14 tetor /ATSH/- Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të takohen nesër për të siguruar më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, mes një rënieje të ndjeshme të furnizimeve me armë dhe municione në vendin e shkatërruar nga lufta, sipas AP.

Ministrat do të diskutojnë gjithashtu propozimin e komandantit të NATO-s për të hequr kufizimet në përdorimin e avionëve të tyre dhe pajisjeve të tjera, në mënyrë që ato të mund të përdoren për të mbrojtur kufirin lindor të aleancës me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën – në mënyrë më efektive.

Një seri incidentesh misterioze me dronë dhe shkeljesh të hapësirës ajrore nga avionët luftarakë rusë kanë nxitur shqetësime se presidenti Vladimir Putin mund të jetë duke testuar aftësitë mbrojtëse të NATO-s.

Disa udhëheqës e kanë akuzuar atë për zhvillimin e një lufte hibride në Evropë. Moska i ka mohuar këto pretendime.

Lufta konvencionale e Rusisë ndaj fqinjit të saj tani është përqendruar në rrjetin elektrik të Ukrainës përpara dimrit.

Fushata e fundit e Moskës synon të çaktivizojë furnizimin me energji të Ukrainës, duke u mohuar civilëve ngrohjen dhe ujin e rrjedhshëm ndërsa temperaturat bien.

“Në të njëjtën kohë, të dhënat e reja mbi ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën tregojnë se ajo ra me 43% në korrik dhe gusht krahasuar me gjysmën e parë të vitit”, sipas Institutit Kiel të Gjermanisë, i cili monitoron mbështetjen e mbrojtjes dhe financiare për Kievin.

Rënia ndodhi edhe pasi aleatët evropianë filluan të blinin armë amerikane për Ukrainën sipas një marrëveshjeje financiare të njohur si “Lista e Kërkesave të Prioritizuara për Ukrainën”, ose PURL.

Danimarka, Holanda, Norvegjia dhe Suedia kanë blerë armë amerikane për t’i dërguar ato në Ukrainë.

Por Italia dhe Spanja, ndër anëtarët e tjerë të aleancës me 32 vende, po dërgojnë shumë pak armë krahasuar me këta partnerë të NATO-s.

Shumë vende – midis tyre edhe Italia – po përballen me sfida ekonomike.

Franca beson se paratë evropiane do të investoheshin më mirë në industrinë e mbrojtjes të Evropës sesa në atë të SHBA-së dhe nuk ka ndërmend të marrë pjesë në PURL.

NATO ngriti një operacion mbrojtjeje ajrore të quajtur “Eastern Sentry” muajin e kaluar pasi disa dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake. Ky është një nga tre operacionet e mbrojtjes ajrore përgjatë krahut lindor. I dyti vepron në rajonin e Detit Baltik dhe i treti mbulon kufirin e Polonisë me Ukrainën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›