E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – PE: Zgjerimi i BE-së, investim strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës

BRUKSEL, 11 mars /ATSH/- Parlamenti Europian ka miratuar sot një raport ku theksohet se zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një përgjigje strategjike ndaj realitetit të ri gjeopolitik dhe një investim të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.

Sipas eurodeputetëve, kostoja e moszgjerimit të BE-së do të ishte më e lartë sesa pranimi i anëtarëve të rinj, pasi do të krijoheshin zona gri gjeopolitike, që mund të bëhen të cenueshme nga ndikime të huaja armiqësore.

Raporti thekson se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të anëtarësimit respektivisht deri në fund të viteve 2026 dhe 2027.

“BE-ja duhet t’i inkurajojë këto vende kur ambicia e tyre shoqërohet me reforma konkrete”, thuhet në raport.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje gjithashtu Këshillit të BE-së të njohë këtë momentum dhe të heqë pengesat që mund të ekzistojnë nga ana e unionit.

Parlamenti kërkon gjithashtu hapjen sa më të shpejtë të kapitujve të negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë.

Anëtarësimi duhet të bazohet në meritë

Eurodeputetët ritheksuan se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe i kthyeshëm në rast të prapakthimeve.

Sipas tyre, asnjë vend nuk duhet të trajtohet si pjesë e një pakete dhe nuk duhet të ketë rrugë të shkurtra për sa i përket vlerave dhe parimeve themelore të BE-së.

Shteti i së drejtës, reformat demokratike, liria e medias, të drejtat e pakicave, pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbeten në qendër të procesit të zgjerimit, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme për shoqërinë civile.

Po ashtu, përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së konsiderohet një tregues kyç i orientimit gjeostrategjik të vendeve kandidate.

Eurodeputetët theksojnë se prapakthimi më shqetësues demokratik po ndodh në vendet ku përputhja me këtë politikë është më e ulët dhe ku procesi i anëtarësimit ka ngecur.

Në raport përmendet gjithashtu rritja e mbështetjes për anëtarësimin në BE të Islandës, ndërsa mirëpriten edhe iniciativat e mundshme nga Groenlanda për të forcuar lidhjet me unionin.

Kërkohet monitorim më i fortë i reformave

Eurodeputetët kërkojnë forcimin e monitorimit të reformave në vendet kandidate, veçanërisht në kuadër të të ashtuquajturit “grupkapitujt e bazave”, si dhe mbështetje më të madhe për aktorët e shoqërisë civile që mbështesin reformat dhe vlerat evropiane.

Raporti kërkon gjithashtu financim të mjaftueshëm para-anëtarësimi në buxhetin e ri afatgjatë të BE-së dhe bashkëpunim më të thellë në fusha si infrastruktura, siguria, qëndresa ndaj krizave dhe lufta kundër manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj.

Dokumenti u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime.

Deklarata e Auštrevičius

Raportuesi i dokumentit, eurodeputeti Petras Auštrevičius, deklaroi se me çdo anëtar të ri, Evropa ka rritur fuqinë e saj politike dhe ekonomike, duke sjellë prosperitet dhe siguri për qytetarët.

Ai theksoi se përballë sfidave të sotme, BE-ja duhet të përmirësojë modelin e integrimit për të reflektuar më mirë interesat e unionit dhe pritshmëritë e vendeve kandidate.

Sipas tij, zgjerimi duhet të ecë paralelisht me reforma të brendshme të BE-së për të përmirësuar funksionimin dhe proceset vendimmarrëse të unionit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›