E Diel, 1 Nëntor 2026

GJERMANI – Pilotët e “Lufthansa “ grevë 48-orëshe për mosmarrëveshjen mbi pensionet

FRAKFURT, 11 mars /ATSH—DPA/ – Pilotët e shoqërisë ajrore gjermane “Lufthansa” do të zhvillojnë një grevë 48-orëshe të enjten dhe të premten, njoftoi sindikata “Vereinigung Cockpit”, duke përshkallëzuar mosmarrëveshjen me kompaninë lidhur me skemën e pensioneve.

Sindikata u ka bërë thirrje më shumë se 5 000 pilotëve të ndalin punën. Greva do të prekë fluturimet që nisen nga Gjermania dhe operohen nga linja kryesore “Lufthansa”, si dhe nga filialet “Lufthansa Cargo” dhe “Lufthansa CityLine”.

Megjithatë, fluturimet drejt Lindjes së Mesme do të përjashtohen nga greva.
Destinacionet e përjashtuara përfshijnë Egjiptin, Azerbajxhanin, Bahreinin, Irakun, Izraelin, Jemenin, Jordaninë, Katarin, Kuvajtin, Libanin, Omanin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Mosmarrëveshja lidhet me kërkesat e pilotëve për rritjen e kontributeve të kompanisë në fondet e pensioneve. Presidenti i sindikatës Vereinigung Cockpit, Andreas Pinheiro, tha se deri tani nuk është paraqitur një ofertë e rëndësishme për të adresuar shqetësimet e pilotëve.

“Është e kotë nëse pala tjetër vetëm sinjalizon gatishmëri për bisedime, por nuk dëshiron të diskutojë për përmirësime reale të skemës së pensioneve”, tha ai.

Pilotët e tre njësive të prekurat ë ” Lufthansa” më parë kishin votuar në një referendum për të autorizuar veprime industriale. Greva e paralajmëruar është raundi i dytë i aksioneve sindikale në këtë konflikt për përfitimet.

Në shkurt, pilotët e linjës kryesore të Lufthansa zhvilluan një grevë njëditore, e cila çoi në anulimin e më shumë se 800 fluturimeve dhe preku rreth 100,000 pasagjerë.

Pas asaj greve, Lufthansa propozoi reforma në sistemin e pensioneve pa rritur kostot për kompaninë dhe nisi diskutime me një ndërmjetës të jashtëm për organizimin e operacioneve të fluturimit dhe perspektivat e karrierës për pilotët. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›