BRUKSEL – Sefcovic: Tarifat e reja të SHBA-së mbi importet e BE-së do të pengonin tregtinë

BRUKSEL, 14 korrik /ATSH-DPA/ – Tarifat e shpallura të SHBA-së prej 30% mbi importet nga Bashkimi Evropian do të ndikojnë rëndë në tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit transatlantik, paralajmëron negociatori kryesor i tregtisë i BE-së.
“Do të ketë një ndikim të madh në tregti. Do të jetë pothuajse e pamundur të vazhdojmë tregtinë siç jemi mësuar në një marrëdhënie transatlantike”, tha komisioneri i Tregtisë i BE-së Maros Sefcovic në lidhje me kërcënimin e rritjes së tarifave nga 1 gushti.
“Kjo e ndalon tregtinë”, theksoi Sefcovic, i cili kryeson ekipin negociator të BE-së në mosmarrëveshjen tregtare me Uashingtonin.
“Zinxhirët e furnizimit transatlantik do të preken rëndë në të dyja anët e Atlantikut”, tha ai, duke shtuar se ”edhe SHBA-ja nuk do ta donte një skenar të tillë”.
BE-ja po tregonte “durim të jashtëzakonshëm, kreativitet të jashtëzakonshëm për të gjetur zgjidhjet” me SHBA-në, tha ai.
Njoftimi i presidentit Donald Trump se po vendos tarifa shtesë erdhi ndërsa negociatorët e BE-së shpresonin se ishte e arritshme një marrëveshje.
Pavarësisht zhgënjimit, Sefcovic ende synon arritjen e një zgjidhjeje, duke njoftuar bisedime të reja me homologët e tij amerikanë.
“Nuk mund ta imagjinoj të largohem pa përpjekje të vërteta”, shtoi ai.
Sefcovic po merr pjesë në një takim të ministrave të tregtisë së BE-së në Bruksel. Komisioneri tha se do të diskutojë kundërmasat e mundshme me ministrat për t’u përgatitur në rast se negociatat dështojnë./ /Ad.Ab./