E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Shefi i Tregtisë së BE-së në Uashington në kërkim të një zgjidhjeje për tarifat

BRUKSEL, 16 korrik /ATSH/- Komisioneri i BE-së për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike, Maros Sefcovic do të udhëtojë sot në Uashington për bisedime mbi tarifat, tha një zëdhënës i BE-së – duke shtuar se ai do të takohet me sekretarin e Tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick, dhe përfaqësuesin e Tregtisë, Jamieson Greer, sipas “Reuters”.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 30% për importet nga BE-ja nga 1 gushti – një normë që Evropa e quan të papranueshme dhe e cila do t’i jepte fund tregtisë normale midis dy tregjeve më të mëdha në botë.

ASML, furnizuesi më i madh në botë i pajisjeve për prodhimin e çipave kompjuterikë, paralajmëroi sot se pasiguria në negociatat mbi tarifat – po i nxiste prodhuesit e çipave në SHBA të vononin finalizimin e investimeve – duke errësuar perspektivën e saj për të gjithë vitin.

Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr tregtinë për BE-në, synon të vendosë tarifa për mallrat amerikane – nga avionët “Boeing” dhe uiski te automjetet – me vlerë 72 miliardë euro (83.6 miliardë dollarë) – nëse bisedimet tregtare me Uashingtonin dështojnë.

Lista – e cila iu dërgua shteteve anëtare të BE-së – i parapriu lëvizjes së Trump gjatë fundjavës për të rritur presionin mbi bllokun 27-vendesh dhe ishte një përgjigje ndaj detyrimeve të SHBA-së për automjetet dhe pjesët e makinave dhe një tarife bazë prej 10%.

Paketa mbulon gjithashtu kimikatet, pajisjet mjekësore dhe elektrike si dhe produktet bujqësore dhe ushqimore – një gamë frutash dhe perimesh, së bashku me verën, birrën dhe pijet alkoolike – me vlerë 6,35 miliardë euro. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›