SHBA – Trump takohet me kryeministrin e Katarit mes përpjekjeve për marrëveshje armëpushimi në Gazë

UASHINGTON, 16 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të takohet sot me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani për të diskutuar negociatat mbi një marrëveshje armëpushimi në Gazë, sipas “Reuters”.
Sipas “Axios”, takimi i tyre do të përqendrohet në luftën kundër Hamasit në Gazë.
Negociatorët izraelitë dhe të Hamasit kanë marrë pjesë në raundin e fundit të bisedimeve në Doha që nga 6 korriku – ku diskutuan propozimin e mbështetur nga SHBA-ja për një armëpushim 60-ditor – që parashikon lirimin gradual të pengjeve të mbajtura në Gazë, tërheqjen e trupave izraelite nga pjesë të Gazës dhe diskutime mbi përfundimin e konfliktit.
I dërguari i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, një ndërmjetës kyç midis dy palëve, tha të dielën se ishte “shpresëplotë” për negociatat që po zhvilloheshin në Katar.
Presidenti i SHBA-së shprehu gjithashtu optimizmin e tij se një marrëveshje mund të arrihej deri në fund të javës.
Gjakderdhja e fundit në konfliktin 10-vjeçar izraelito-palestinez u shkaktua më 7 tetor 2023, kur Hamasi udhëhoqi mijëra terroristë për të pushtuar Izraelin jugor.
Sulmi vrau 1 200 njerëz, kryesisht civilë, dhe 251 të tjerë u morën peng në Rripin e Gazës.
Trump dhe Sheikh Mohammed pritet gjithashtu të diskutojnë përpjekjet për të rifilluar bisedimet midis SHBA-së dhe Iranit për të arritur një marrëveshje të re bërthamore. //a.i/