Hetuesi paranormal Dan Rivera vdes gjatë turneut me kukullën e pushtuar, Annabelle

LONDËR, 16 korrik /ATSH/- Dan Rivera, kujdestari i kukullës Annabelle në jetën reale, ka vdekur në moshën 54 vjeç, ndërsa ishte në turne me lodrën, sipas “The Independent”.
Hetuesi i ngjarjeve paranormale, ka qenë kujdestari kryesor i kukullës Raggedy Ann, e cila është një klasik i zhanrit horror, konkretisht në ekskluzivitetin e filmave “The Conjuring”.
Sipas një postimi në “Facebook” nga Shoqata e Anglisë së Re për Kërkime Psikike (NESPR), e cila po pret turneun e Annabelle, Rivera vdiq papritur ndërsa ishte në event me kukullën fundjavën e kaluar. Rivera ishte gjithashtu hetuesi kryesor për NESPR.
Megjithatë, shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.
Rivera ishte pjesë e një grupi që aktualisht ishte në turneun “Devils on the Run”, të organizuar nga “Ghostly Images of Gettysburg” dhe NESPR.
Sipas faqes së internetit të NESPR, eventi, i mbajtur në Gettysburg, Pensilvani, fundjavën e kaluar, ishte një natë me histori paranormale, ndërsa kukulla famëkeqe Annabelle vizitoi Jetimoren e Fantazmave të Gettysburgut.
Kukulla Annabelle do të vazhdojë të udhëtojë gjatë muajve të ardhshëm, me ndalesën e saj të radhës në Augusta, Maine, më 6 dhe 7 shtator.
Ajo pritet gjithashtu të jetë në “Rock Island Roadhouse Esoteric Expo” në Rock Island, Illinois, më 4 tetor, dhe në “ScareFest Weekend 17” në Leksington, Kentaki, që do të zhvillohet nga 17 deri më 19 tetor.
Vdekja e Rivera erdhi pas thashethemeve që qarkulluan në maj se Annabelle ishte zhdukur ndërsa ndodhej në Luiziana. Thashethemet dolën pasi disa vizitorë pretenduan se nuk e kishin parë kukullën gjatë një turneu.
Përveç kësaj, një zjarr i kohëve të fundit në White Castle, Luiziana, intensifikoi spekulimet se kishte një lidhje midis zhdukjes së supozuar të Annabelle dhe flakëve.
Megjithatë, Rivera hodhi poshtë teoritë se kukulla ishte zhdukur në një video në TikTok në atë kohë.
“Jam këtu në muze tani dhe dua t’ju tregoj se Annabelle është në Muzeun Okult të Warrens. Le të hyjmë brenda dhe të kontrollojmë”, tha ai.
Pasi hyri në muze, ai shkoi për të treguar kukullën e vendosur në një kuti druri.
“Annabelle nuk mungon, ajo nuk është në Çikago”, siguroi ai fansat.
Annabelle u shfaq për herë të parë në “The Conjuring” të vitit 2013 përpara se të merrte ekskluzivitetin e saj “spin-off”. //a.i/