UASHINGTON – Rubio: SHBA shumë e shqetësuar për përleshjet në Siri

UASHINGTON, 16 korrik /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka shprehur shqetësim pas sulmeve izraelite në kryeqytetin sirian, Damask.
“Ne duam që luftimet të ndalen”, tha sot Rubio në Uashington.
Ai shtoi se SHBA-ja po bisedonte me të gjitha palët dhe shpresonte që të arrihej një marrëveshje.
“Por, ne jemi shumë të shqetësuar”, shtoi Rubio.
Pas disa ditësh dhune midis grupeve druze dhe beduine sunite në Sirinë jugore, Izraeli – një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – bombardoi disa objektiva në Damask, përfshirë hyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Gazetari izraelit Barak Ravid raportoi, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, se qeveria amerikane i kishte bërë thirrje Izraelit të ndalonte sulmet në Siri dhe të hynte në dialog me qeverinë në Damask me qëllim uljen e tensioneve. //a.i/