E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen: Bisedimet tregtare BE-SHBA në vazhdim

BRUKSEL, 24 korrik /ATSH-DPA/- Negociatat midis BE-së dhe SHBA-së për të arritur një marrëveshje tregtare të minutës së fundit janë në vazhdim, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen – tetë ditë përpara se tarifat e reja të SHBA-së ndaj bllokut të hyjnë në fuqi.

“Për momentin, kemi kontakte dhe diskutime shumë intensive teknike dhe politike që janë duke u zhvilluar”, tha shefja e ekzekutivit të BE-së gjatë një konference për shtyp pas samitit BE-Kinë, në Pekin.

“Por ne kemi qenë shumë të qartë, për disa javë kemi kërkuar një zgjidhje të negociuar, të gjitha instrumentet e tjera janë në tryezë dhe mbeten në tryezë derisa të kemi një rezultat të kënaqshëm”, shtoi Von der Leyen.

Negociatorët në Uashington dhe Bruksel po punojnë për të arritur një marrëveshje përpara se tarifat prej 30% ndaj importeve nga blloku 27-anëtarësh, të shpallura nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Deklarata e Von der Leyen erdhi pasi vendet e Bashkimit Evropian miratuan një propozim të Komisionit për të vendosur potencialisht tarifa importi ndaj mallrave amerikanë me një vëllim të përgjithshëm tregtar prej 93 miliardë eurosh (109,4 miliardë dollarë) nëse bisedimet me SHBA-në dështonin.

Masat përfshijnë një listë të miratuar të mallrave të synuara me vlerë 21 miliardë euro dhe një listë të re me mallra shtesë me vlerë 72 miliardë euro, të cilat mund të preken nga tarifat nga 7 gushti nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Pavarësisht miratimit të kundërmasave të mundshme, blloku ende shpreson të gjejë një zgjidhje të negociuar në mosmarrëveshjen tregtare me Uashingtonin.

Trump tha dje se SHBA-ja është e gatshme të ulë tarifat e paralajmeruara ndaj mallrave evropiane – nëse BE-ja hap tregun e saj më tej për kompanitë amerikane.

“Nëse ata bien dakord të hapin bllokun për bizneset amerikane, atëherë ne do t’i lejojmë ata të paguajnë një tarifë më të ulët”, tha Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›