E Hënë, 2 Nëntor 2026

Morrison: SHBA-ja duhet të dyfishojë angazhimin në Indo-Paqësor për të përballuar Kinën

SIDNEJ, 24 korrik /ATSH/ – Ish-kryeministri i Australisë, Scott Morrison, i kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të forcojnë angazhimin ekonomik në Indo-Paqësor për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Kinës., sipas Reuters.

Gjatë një dëshmie në Kongresin Amerikan, Morrison theksoi se “siguria ekonomike është shqetësimi kryesor për shumë vende të Azisë Juglindore, dhe se udhëheqja amerikane në investime dhe tregti u jep vendeve të rajonit zgjedhje përballë Kinës”.

“Kur Kina është aktive në një vend të caktuar, përgjigjja nuk është që SHBA-ja apo aleatët të mos jenë të pranishëm, por që të jenë edhe më të pranishëm, për të ofruar atyre këtë zgjedhje”, tha ai.

Ai solli si shembull përvojën e qeverisë së tij, kur Kina vendosi sanksione tregtare prej 20 miliardë dollarësh ndaj Australisë pasi Kanberra kërkoi një hetim mbi origjinën e COVID-19. Sanksionet u hoqën pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2022.

Morrison tha gjithashtu se SHBA-ja duhet të punojë më ngushtë me aleatët e saj të Quad-it, përfshirë Australinë dhe Japoninë, për të ndërtuar një zinxhir furnizimi për mineralet kritike dhe elementët e rrallë tokësorë, që nevojiten për pajisjet mbrojtëse, përfshirë nëndetëset me energji bërthamore që Australia po blen nga SHBA-ja në kuadër të marrëveshjes “AUKUS”.

Ai paralajmëroi se ndërgjegjësimi publik në Australi për kërcënimin që paraqet Kina është në rënie, duke theksuar nevojën për një angazhim më të madh të perëndimit në rajon. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›