E Martë, 3 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen bën thirrje për uljen e çmimit të naftës ruse në 45 dollarë për fuçi

BRUKSEL, 10 qershor /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen bëri thirrje sot që çmimi ndërkombëtar i eksporteve të naftës ruse të ulej në 45 dollarë për fuçi, si pjesë e paketës së 18-të të sanksioneve të BE-së ndaj Moskës.

Kufiri i çmimit të naftës u prezantua në vitin 2022 nga grupi (G7), me qëllim që ta detyronte Rusinë të shiste naftë me një kosto maksimale prej 60 dollarësh për fuçi.

Masa synon të reduktojë një nga burimet më të rëndësishme të të ardhurave të Rusisë, me qëllim kufizimin e aftësisë së Moskës për të vazhduar luftën kundër Ukrainës.

“Eksportet e naftës ende përfaqësojnë një të tretën e të ardhurave qeveritare të Rusisë. Ne duhet ta ulim këtë burim të ardhurash”, u tha Von der Leyen gazetarëve në Bruksel.

“Që kur u prezantua kufiri, çmimet kanë rënë, që do të thotë se nafta tani është shumë afër nivelit të kufirit”, tha ajo.

“Ulja e kufirit do të rivendoste efektivitetin e tij”, shtoi Von der Leyen.

Presidentja e komisionit theksoi se vendosja e një limiti të ri çmimesh për eksportet e naftës ruse do të ishte pjesë e diskutimeve në samitin e G7 në Kanada, këtë javë.

Në maj, Von der Leyen njoftoi se Bashkimi Evropian do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë – pasi Moska hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar 30-ditor në Ukrainë.

Vendet e BE-së duhet të bien dakord unanimisht për sanksionet e propozuara nga komisioni përpara se ato të hyjnë në fuqi.

“Përveç një limiti më të ulët të çmimit të naftës, po punohet për masa të mëtejshme kufizuese në sektorin bankar dhe të energjisë të Rusisë – si pjesë e paketës së re të sanksioneve të bllokut”, njoftoi Von der Leyen. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›